Sot në Gjilan protestohet para Gjykatës Themelore të Gjilanit pas vrasjeve të fundit në këtë qytet.

E lidhur me këtë ka reaguar sot deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, i cili thekson se me plot të drejtë sot qytetarët e Gjilanit kanë thirrur protestë në qytet.


Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla pesë ditë pas ngjarjes së rëndë në Gjilan heshtin për mos arrestimin e fajdexhiut.

“Pesë ditë heshtje nga Sveçla e Kurti për mos arrestimin e fajdexhiut që vrau tre qytetarë të pafajshëm! Jo vetëm heshtje – por edhe mbrojtje të hapur. Në ditën e tragjedisë, në vend që qyteti të ‘blindohej’ në çdo hyrje e dalje derisa autori të kapej, atij iu hap rruga për t’u arratisur. Adresa para së cilës duhet të protestohet është Lëvizja Vetëvendosje – aty buron krimi dhe tmerri që po e terrorizon Gjilanin”, shkruan Tahiri. /Telegrafi/