Prokuroria urdhëron rifillimin e numërimit të fletëvotimeve në Mitrovicën e Jugut

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar opinionin publik se ka urdhëruar Komisionin Komunal Zgjedhor që të rifillojë procesin e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në komunën e Mitrovicës së Jugut.
Sipas Prokurorisë, kjo masë u mor pas problemeve të konstatuara gjatë numërimit, kjo pasi kompania CETIS, e cila ka printuar fletëvotimet për zgjedhjet komunale në Kosovë, ka sqaruar se gabimi ka ndodhur për shkak të printerit.
“Problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”, citohet njoftimi i CETIS, nga ana e Prokurorisë së Mitrovicës.
Për të garantuar integritetin e procesit të numërimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë gjithë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit
“Sidoqoftë, për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit të fletë votimeve, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka caktuar dy hetues policorë që do të jenë prezent gjatë tërë kohës deri në përfundimin e plotë të procesit të numërimit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/














































