Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës me vite të tëra është duke u përballur me temperatura të larta gjatë stinës së verës dhe me të ulëta gjatë stinës së dimrit.

Lidhur me këtë problematikë që po e shoqëron objektin e Pallatit të Drejtësisë ndër vite, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) kishte autorizuar kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore Prishtinë që të vlerësojnë kushtet e punës, në Pallatin e Drejtësisë dhe varësisht nga vlerësimi të vendosin për reduktimin e punës apo pezullimin e tyre deri në përmirësimin e gjendjes.


Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com kishte nisur pyetje në Prokurorinë e Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë për KALLXO.com, se hetuesia janë autorizuar nga prokurori i çështjes që të grumbullojnë informacione dhe provat lidhur me rastin.

Sipas përgjigjes thuhet se hetimet kanë nisur ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Punës së Brendshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare si persona përgjegjës për menaxhimin e objektit në Pallatin e Drejtësisë.

“Për shkak të mos funksionimit të sistemit të ftohjes, për shkak të temperaturave të larta në të gjithë Pallatin e Drejtësisë (të gjitha objektet), për shkak të kushteve të këqija të punës, përkatësisht mungesës së oksigjenit, ku si pasojë disa punëtor kanë pasur problem shëndetësore dhe për shkak reduktimit të punës (shtyrjes së shumë seancave) në Pallatin e Drejtësisë, Prokurori i Shtetit duke vlerësuar gjendjen aktuale sipas detyrës zyrtar ka iniciuar rast me dyshimin e arsyeshëm për vepër penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit nga neni 414 të KPRK-së, apo ndonjë vepër tjetër e cila ndihet/hetohet sipas detyrës zyrtare, kundër personave zyrtar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si përgjegjës për menaxhimin e objekteve të Pallatit të Drejtësisë, më konkretisht mos riparimin e sistemit të ajrosjes”-thuhet në përgjigjen e tyre.

Në objektin e Pallatit të Drejtësisë momentalisht janë të vendosura, Gjykata Themelore e Prishtinës me departamentet e saj: Departamenti i Përgjithshëm Penal dhe Civil, Krimet e Rënda dhe Departamenti Special, Gjykata e Apelit një pjesë e Gjykatës Supreme dhe Gjykata Komerciale.

Në objektin e Pallatit janë të vendosura edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe Prokuroria e Apelit.