Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit e arrestuar në Vushtrri

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të pandehurve, pas një aksioni të zhvilluar më 21 shtator në Vushtrri dhe fshatin Ropicë.
Të pandehurit me inicialet Rr.G., A.G., E.G. dyshohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa i pandehuri me iniciale K.G. për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria”.
Operacioni u zhvillua në koordinim ndërmjet Prokurorisë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, gjatë të cilit u kontrolluan disa lokacione në komunën e Vushtrrisë.
Si rezultat, katër të dyshuarit u arrestuan dhe janë vendosur në ndalim 48-orësh me vendim të prokurorit të rastit.
Gjatë bastisjeve, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme të sendeve që mund të lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal, përfshirë: 2 armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm,2 karikatorë, 2 palë dylbi, 7 telefona celularë 1 shkop druri, 1 thikë, 1 palë dorëza, dokumente të ndryshme, 1 pasaportë, 1 patentë shofer, 1 USB, 1 llaptop, 1 palë patika dhe 1 çelës motori.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve do të mbahet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega në Vushtrri.
Prokuroria ka njoftuar se do të vazhdojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë. /Telegrafi/


















































