Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë ka njoftuar për paraqitjen e tre avarive të mëdha në pjesë të ndryshme të rrjetit të furnizimit, si pasojë e prurjeve të rritura të ujit dhe vjetërsisë së infrastrukturës. Defektet kanë detyruar ndërprerje të përkohshme të ujit në disa zona të Pejës dhe fshatrave përreth.

Avaria e parë është regjistruar në rrugën “Azem Lukaj”, në gypin kryesor DN 500 AC, ku është paraqitur një rrjedhje e madhe. Për shkak të gjendjes, është ndërprerë furnizimi në të gjitha fshatrat e Lugut të Trestenikut, Lugut të Leshanit, zonën industriale dhe në fshatin Gorazhdevc, përcjell Telegrafi.


Defekti i dytë është evidentuar në rrugën “Agim Qela”, në gypin DN 315, ku një rrjedhje e konsiderueshme e ujit ka shkaktuar ndërprerje të furnizimit në rrugët “Agim Qela”, “Myrvete Maksutaj”, “Adem Jashari” si dhe në të gjithë bllokun teknik “Fidanishe”.

Avaria e tretë është regjistruar në rrugën “Faruk Zeka”, ku rrjedhja e madhe ka kërkuar ndërprerje të ujit deri në krijimin e kushteve të sigurta për realizimin e punimeve.

KRU “Hidrodrini” njofton se ekipet teknike ndodhen në terren dhe kanë nisur punën për sanimin e të gjitha defekteve. Furnizimi me ujë do të rikthehet menjëherë pas përfundimit të ndërhyrjeve.

Kompania kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe siguron se po ndërmerr të gjitha masat për rikthimin sa më të shpejtë dhe të sigurt të ujit të pijshëm. /Telegrafi/