Site icon Telegrafi

Probleme me energji elektrike në Rugovë, afaristi thotë se po shpenzon naftë 300 euro në ditë

Edhe pse është ndër zonat më të vizituara në Kosovë, Rugova tash e disa ditë po përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Banorët e fshatit Bogë të Rugovës po ankohen se kanë probleme të mëdha me energji elektrike. Një problem i tillë sipas banorëve është duke zgjatur prej tre javësh.

Pronarët e lokaleve në këtë zonë po ankohen se kjo ndërprerje e energjisë po u shkakton dëme të mëdha bizneseve.

“Mungesa e rrymës po na vështirëson procesin e punës si në restorant si në villa. Derivatet e gjeneratorit që shpenzojmë kanë kosto shumë të mëdha për neve”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Dradan Gashi.

“Rreth 300 euro dita na kushtojnë shpenzimet për të furnizuar këtë vend me rrymë përmes gjeneratorit. Këtu llogaritet shpenzimi i naftës që duhet blerë, transporti për të shkuar në Pejë dhe kthimi këtu, punëtori që duhet paguar për këtë punë. Për katër javë pa rrymë këto shpenzime na kanë kushtuar rreth 9 mijë euro”.

Mungesa e rrymës i ka irrituar edhe vizitorët që thonë se nëse problemi nuk sajohet vështirë se do të vijnë përsëri për pushime në këtë vend.

“Mungesa e rrymës nuk e pengon vetëm turizmin, por edhe punën e gjithmbarshme. Pa infrastrukturë të mirë nuk mund të ketë turizëm”, shprehet turisti Myftar Haklaj./Telegrafi/

Exit mobile version