Klubi kryeqytetas, Prishtina i ka bërë pjesë të ekipit të parë edhe katër lojtarët të rinj, të cilët ishin pjesë e ekipeve të moshave dhe tani kanë nënshkruar kontrata profesionale.
Bardhekaltrit kanë vazhduar ofrimin e lojtarëve të rinj në ekipin e parë, pasi sot (e premte) kanë konfirmuar se edhe katër lojtarë të rinj dhe me potencial i janë bashkuar ekipit të parë.
Pas Igball Jashari (17 vjeç), Dion Gallapeni (18 vjeç), Olt Pllana (18 vjeç), Arlind Dobroshevci (16 vjeç) dhe Donart Llabjani (18 vjeç), tani Prishtina ka ofruar edhe katër lojtarë tjerë.
Lojtarët Reart Bajrami, Naxhi Berisha, Pëllumb Glloku dhe Blendrit Krasniqi janë ata që kanë nënshkruar kontratat sot dhe janë prezantuar në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Është vet faqja e klubit kryeqytetas që ka konfirmuar nënshkrimin e kontratave profesionale me lojtarët e talentuar.
“FC Prishtina vazhdon të punojë pa ndalur në ofrimin e lojtarëve të rinj dhe me potencial në ekipin e parë. Reart Bajrami, Naxhi Berisha, Pëllumb Glloku dhe Blendrit Krasniqi janë katër futbollistët e radhës që kanë firmosur kontrata profesionale me skuadrën tonë”.
“Lojtarët e ofruar janë prezantuar me ekipin e parë nga drejtori sportiv Driton Krasniqi dhe stafi përcjellës i klubit”, thuhet në njoftimin e Prishtinës. /Telegrafi/