Prishtina mëson kundërshtarin për rrethin e dytë të Ligës së Konferencës nëse eliminohet nga Liga e Evropës

Fituesja e Kupës së Kosovës, Prishtina, tashmë e ka të qartë rrugën që e pret në garat evropiane këtë verë.
Në rrethin e parë të Ligës së Evropës, kryeqytetasit do të përballen me skuadrën moldave Sheriff Tiraspol, një emër i njohur në arenën ndërkombëtare.
Nëse Prishtina arrin ta eliminojë Sheriffin, atëherë do të përballet me një kundërshtar shumë të fortë në rrethin e dytë të Ligës së Evropës, Utrechtin nga Holanda. Skuadra holandeze është pjesë e rregullt e Eredivisies dhe vlerësohet si favorite në shumicën e përballjeve të këtij niveli.
Nga ana tjetër, në rast të eliminimit nga Sheriffi, Prishtina nuk përfundon menjëherë aventurën evropiane. Ajo do të zbresë automatikisht në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, ku kundërshtari do të jetë humbësi i duelit mes Auda (Letoni) dhe Larne (Irlandë e Veriut).
Ky format u jep klubeve si Prishtina një mundësi të dytë për të vazhduar garën në Evropë dhe për të grumbulluar përvojë, pikë në renditje dhe të ardhura për klubin. /Telegrafi/


















































