Prishtina gati për spektaklin e pingpongut ndërkombëtar – Prishtina Open 2025 vjen nga 20 deri më 22 qershor

Nga data 20 deri më 22 qershor 2025, Pallati i Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të jetë vendi i një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në vend – turneut ndërkombëtar të pingpongut Prishtina Open 2025.
Për të tretin vit me radhë, ky turne po sjell në kryeqytetin e Kosovës mbi 250 pingpongistë nga 30 shtete të botës, duke e kthyer Prishtinën në një qendër të rëndësishme të sportit ndërkombëtar.
Turneu do të karakterizohet nga duele plot adrenalinë, atmosferë konkurruese dhe një organizim profesional që po e forcon gjithnjë e më shumë reputacionin e këtij eventi në kalendarin ndërkombëtar të pingpongut.
Klubi i Pingpongut Priping, organizatori i këtij turneu, premton një edicion edhe më spektakolar këtë vit, me përfshirje më të madhe të sportistëve nga vende të reja, kushte të përmirësuara për garuesit dhe publikun, si dhe një sërë aktivitetesh që promovojnë sportin, miqësinë dhe kulturën sportive.
Turneu i këtij viti do të përfshijë kategori të ndryshme për të rinjtë U11, U13, U19, si dhe kategorinë Senior dhe Veteranë, duke përfshirë në këtë mënyrë një gamë të gjerë moshash dhe nivele lojtarësh – nga ata që sapo nisin rrugëtimin e tyre në pingpong deri tek kampionët me përvojë shumëvjeçare.
Ndeshjet e kategorisë Senior priten të jenë kulmi i spektaklit, me përballje emocionuese dhe adrenalinë të lartë.
Turneu do të fillojë të premten e ardhshme, në ora 10:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Për detajet e ndeshjeve ndiqni faqen zyrtare të klubit www.priping.com





















































