Përfaqësuesi U-19 i Malit të Zi, u shpreh i lumtur që iu bashkua gjigantit kosovar, duke premtuar se do ta japë maksimumin për fanellën e klubit të ri. “E falënderoj kryetarin dhe djelmoshat e ekipit, që më kanë pritur për mrekulli. Mendoj se ky është një potez i mirë i imi, pasi kam rast të luaj dhe të tregoj se çka di të bëj në futboll. Do ta jap maksimumin për këtë klub, në mënyrë që t’i arrijmë objektivat”, ka thënë Milovic.

Ndërkohë, menaxheri i tij, Rudi Vata, siguroi se bëhet fjalë për një super-përforcim nga ana e prishtinasve, i cili gjatë janarit ka ushtruar me ekipet e njohura britanike si Aberdeen e Swansea, por që nuk ka mundur të qëndronte aty për shkak se i mungonin letrat e punës.


“Kishim oferta në Evropë për Milosin, por biseduam me Remziun, për të cilin kam respekt dhe është person serioz, që mundohet ta bëjë më të mirën për Prishtinën dhe futbollin kosovar. Me këtë rast, vendosëm që ta sjellim lojtarin në Prishtinë. Ai do t’i shërbejë klubit dhe klubi do t’i shërbejë atij. Kjo është reciproke, të dyja palët do të përfitojnë nga njëra tjetra”, u shpreh menaxheri shqiptar, dikur futbollist i njohur. “Milosi do të mundohet ta japë më të mirën, është një mundësi shumë e mirë për të dyja palët. Ai është pritur ngrohtë dhe shihet se Prishtina ka vlera evropiane”, tha Vata. Ky i fundit premtoi se edhe në të ardhmen mund të sjellë futbollistë nga jashtë, por që edhe do të mundohet që ndonjë lojtar të Prishtinës, ta dërgojë jashtë.

Ejupi: Po bëhemi gati për Evropë

Presidenti i klubit, Remzi Ejupi, e falënderoi menaxherin Vata që në Prishtinë e solli një lojtar si Milos, duke premtuar se në të ardhmen Prishtina do të sjellë futbollistë tjerë të huaj, sa më të rinj në moshë. “Deri tash jemi mësuar vetëm të japim. Tash do të mundohemi edhe të marrim dhe t’i mbajmë lojtarët e huaj, pse jo, që një ditë të luajnë edhe për vendin tonë. Ne deri tash ishim të papërvojë me lojtarë të huaj, por, duke e parë që tregu vendor është i varfër, jemi fokusuar te tregu i huaj. Klubi do t’i hapë dyert dhe do të sjellim lojtarë të moshave të reja, por edhe falë menaxherëve, si Rudi Vata, të dërgojmë lojtarë tanë jashtë. E falënderoj Rudin për bashkëpunimin me ne”, shpjegoi kreu i klubit prishtinas, i cili ndihet i nderuar që Prishtina do të ketë në skuadër një lojtar si përfaqësuesi i ri malazez.

Të shtunën arrin koreani i tretë

Drejtuesit e Prishtinës i kanë prezantuar edhe dy përforcimet e paralajmëruara koreane, Park Daesung e Cho Byung Jun, ndërsa kanë treguar se të shtunën në Prishtinë do të arrijë edhe përforcimi i tretë i paralajmëruar, koreani Kim Myungjae.

telegrafi sport app