Prindërit dhe të afërmit e atyre që vdiqën në zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur "Pulse" në Koçan u paraqitën sot në seancën dëgjimore në Idrizovë me një banderolë të madhe të shtypur me fytyrat e të dashurve të tyre që humbën jetën në tragjedi.

Banderola, e cila sipër fotove shkruan “16.03.2025 – 63 hije do t’ju ndjekin, çdo vështrim kërkon drejtësi”, u vendos në pjesën e jashtme të gardhit metalik të sigurisë që rrethonte sallën e gjyqit. Policia fillimisht nuk lejoi vendosjen e banderolës, por pas konsultimeve të shkurtra dha leje që ajo të qëndronte në gardh.


I vendosur përballë parkingut nga ku mbërrijnë të akuzuarit, përfshirë ata të sjellë me furgonë policie, banderola kishte për qëllim t’u kujtonte atyre jetët e humbura, thonë prindërit.

“Ne e sollëm banderolën për t’u kujtuar ‘vrasësve’ atë që bënë, sepse në seancën e mëparshme ata thanë se nuk ndiheshin fajtorë”, tha Svetlana Stojanova, nëna e Andrej Stojanov, i cili vdiq në “Pulse”./Telegrafi/