LAJMI I FUNDIT:

Princesha Diana nderohet me pllakë të kaltër në ish- banesën e saj në Londër

Princesha Diana nderohet me pllakë të kaltër në ish- banesën e saj në Londër

Princesha e ndjerë, Diana, është nderuar me një “pllakë të kaltër” në banesën e saj të mëparshme në Londrën perëndimore, ku jetonte para se të fejohej me trashëgimtarin britanik të fronit, Princin Charles.

Pllaka është në ndërtesën që ishte shtëpia e saj midis viteve 1979 dhe 1981 – 60 Coleherne Court – një pronë afër Rrugës së Mbretit në Chelsea.

Diana, e cila vdiq në moshën 36 vjeç në një aksident automobilistik në Paris në 1997, ndau apartamentin me tre mikesha, përfshirë Virginia Clarke, e cila ndihmoi në zbulimin e pllakës në një ceremoni dje (e mërkurë).


“Ato ishin ditë të lumtura për të gjitha ne dhe banesa ishte gjithmonë plot të qeshura”, tha Clarke. “Diana u bë shumë e dashur për shumë njerëz. Është e mrekullueshme që trashëgimia e saj do të mbahet mend në këtë mënyrë”. Diana i përshkroi vitet e saj në banesë si “koha më e lumtur e jetës së saj”, sipas librit të Andrew Morton, “Diana, In Her Own Words”.

Skema e pllakës së kaltër të Londrës, e drejtuar nga Trashëgimia Angleze, nxjerr në pah ndërtesat ku jetonin dhe punonin figura të famshme nga e kaluara.

Pllaka e kaltër e Princeshës Diana thotë: “Zonja Diana Spencer më vonë Princesha e Uellsit 1961-1997. Jetoi këtu 1979-1981”.

“Diana kishte, dhe ende ka, një vend shumë të veçantë në zemrat e londinezëve dhe ne jemi të emocionuar kur shohim pllakën e saj të kaltër të vendosur zyrtarisht si një monument për punën e saj për të tjerët”, tha Andrew Boff, kryetar i Asamblesë së Londrës. /Telegrafi/