Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar në zgjedhjet lokale.

E para e vendit votoi në Fakultetin Teknik, ndërsa u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të dalin dhe të vendosin se kush do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme.


“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë. Sa më e madhe pjesëmarrja dhe sa më i rregullt procesi zgjedhor – aq më e fortë është demokracia jonë”, tha Osmani, raporton Telegrafi.

“Mbi të gjitha, shpresoj që ky proces të jetë në të mirë të qytetarëve tanë dhe të jetë një proces i lirë, ku qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë sa më shumë”.

“26 vjet pas çlirimit dhe më shumë se 17 vite nga pavarësia, është shumë me rëndësi që qytetarët, përmes votës, të vendosin se kush do të qeverisë me komunat e tyre”.

“Ju uroj suksese të gjitha institucioneve që merren me këtë proces dhe që e bëjnë të mundur që qytetarët të votojnë sa më lehtë”, shtoi ajo.

Osmani u pyet edhe për Listën Serbe, e cila në veri të vendit, në mënyrë ilegale dhe të organizuar, ka mbledhur qytetarë që të votojnë.

“Siç e dini, Serbia ka ndërhyrë në proceset zgjedhore edhe më parë në Kosovë. Ne, natyrshëm, me të gjitha institucionet tona do t’i sigurojmë qytetarëve tanë të drejtën e votës. Andaj do të reagojmë edhe në instancat ndërkombëtare për këto ndërhyrje dhe do të bëjmë çmos që të ruhet integriteti i këtyre zgjedhjeve”, përfundoi e para e vendit. /Telegrafi/