Nedim Bajrami ka qenë shumë pranë largimit nga Empoli në afatin kalimtar të verës.
Fiorentina ishte skuadra që insistoi më së shumti për transferimin e tij, por ai është kërkuar edhe nga Sassuolo, Lazio e Bologna.
Megjithatë Empoli rezistoi mirë dhe nuk pranoi të largohet ylli i skuadrës, përkundër që kishin oferta të shumta.
Skuadra bardhekaltër kërkonte rreth 20 milionë euro për ta lënë të lirë reprezentuesin shqiptar.
Presidenti i Empolit, Fabrizio Corsi e vlerëson shumë yllin shqiptar, teksa ka treguar edhe arsyen se pse Bajrami nuk ka statistikat e njëjta si vitin e kaluar.
“Ai është një djalë me aftësi të mëdha. Këtë vit vuajti faktin që nuk gjeti një skuadër më të mirë se Empoli. Pas disa vitesh, lojtarët e talentuar shuhen nëse nuk gjejnë stimuj të rinj”.
“Por, nëse shihni me vëmendje 20 minutat e zhvilluara ndaj Lazios dallohet kualiteti i një kampioni”, theksoi kreu i klubit të Empolit, skuadër ku luajnë edhe Ardian Ismajli e Samir Ujkani.
23-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 17 ndeshje me Empolin në Serie A, por ka shënuar vetëm një gol. /Telegrafi/