“Kosova, vendi më pro-amerikan në botë” – mesazhi nga Ambasada e SHBA-së në 249-vjetorin e pavarësisë

E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, ka organizuar një pritje zyrtare me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Gjatë fjalës së saj, Prattipati ka falënderuar të pranishmit dhe ka theksuar se askund si në Kosovë nuk ka pasur mundësinë të festojë këtë ditë, në vendin më pro-amerikan në botë.
Ajo ka folur për partneritetin SHBA-Kosovë, duke theksuar se ky partneritet nuk ka të bëjë vetëm me atë që SHBA-ja arrin për vete, por për faktin që fuqia e Amerikës ndihmon fuqizimin e partnerëve të saj.
Sipas Prattipati, Kosova është një shembull i qartë i këtij partneriteti që sjell rezultate konkrete.
Prattipati ka theksuar se është hera e parë që feston Ditën e Pavarësisë së SHBA-së në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen e saj për mundësinë që të shërbejë në këtë rol.
Ajo ka kujtuar disa përvjetorë të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara, përfshirë 250-vjetorin e Ushtrisë Amerikane, e cila luajti një rol kyç në luftën për pavarësi.
“Po këtë vit, Ushtria Amerikane u stërvit krah për krah me Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtrimin më të madh të ushtrisë amerikane në Evropë – 'Defender 25', ku Kosova ishte vend mikpritës. Kjo nuk është vetëm një simbolikë, por një dëshmi e forcës së partneritetit tonë në fushën e sigurisë,” tha Prattipati.
E ngarkuara me punë vuri në dukje se falë përkushtimit të palëkundur të Kosovës dhe përputhshmërisë me prioritetet e politikës amerikane, vendet tona janë më të forta dhe më të sigurta.
Tutje theksoi se përmes bashkëpunimit të ngushtë, janë arritur rezultate në luftën kundër krimit kibernetik, antisemitizmit dhe përpjekjeve për të parandaluar përhapjen e armëve nukleare.
Prattipati gjithashtu e vuri theksin tek aspekti ekonomik, duke theksuar se ka pasur një rritje të dukshme në marrëdhëniet tregtare mes SHBA-së dhe Kosovës.
Po ashtu përmendi hapjen e disa bizneseve të reja amerikane në Kosovë, si një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike.
Në përfundim, Prattipati theksoi se partneriteti SHBA-Kosovë ka qenë gjithmonë një rrugëtim i përbashkët, dhe se Amerika do të vazhdojë të ndihmojë në forcimin e Kosovës dhe rajonit, duke krijuar mundësi më të mëdha për të gjithë.


































