Prapa sulmit terrorist në aeroportin e Stambollit, mund të jetë një çeçen i cili ka fituar statusin e refugjatit në Austri, shkruajnë mediat në Vjenë, ku ndër tjera thuhet se bëhet fjalë për Ahmed Chataev, i cili kishte shkuar në Austri në vitin 2003 ku edhe kishte fituar statusin e azilantit.

Nëntë vite më vonë, ishte bërë xhihadist në Siri, kurse tani është i dyshuari kryesor për sulmin në aeroportin Ataturk të Stambollit, shkruan e përditshmja vjeneze “Die Presse”, transmeton Telegrafi.


“Autoritetet turke tashmë na kanë kontaktuar”, ka konfirmuar zëdhënësi i ministrisë së punëve të brendshme të Austrisë, Karl-Heinz Grundbek.

Chataev, baba i katër fëmijëve, është i njohur për policinë austriake ku në bazën e tyre të dhënave figuron, si “luftëtar i huaj” ose një person që i është bashkuar luftës së armatosur të ekstremistëve islamikë në Siri.

Përndryshe, më shumë se gjysma e “luftëtarëve të huaj” që kanë shkuar nga Austria në Siri, janë me prejardhje nga Çeçenia.

Turqi 2

Sipas “Die Presse”, Chataev, për herë të fundit është parë në rajonin kufitar midis Sirisë dhe Turqisë.

Emri i tij është përmendur edhe më herët në mediat turke, si organizator i sulmit të përgjakshëm në Ankara gjatë tetorit të vitit të kaluar.

Tani emri i tij është shfaqur edhe njëherë si organizatorë i sulmit terrorist në aeroportin e Stambollit.

Mediat turke thonë se grupi terrorist që e rrethon Chataevin ishte futur në territorin turk më 25 maj, dhe se anëtarët e tyre kishin marrë me qira apartamente në të cilët kishin planifikuar sulmin.

Në fund të viteve të 90-ta, Chataev kishte luftuar në anën e rebelëve qeqenë, kurse në vitin 2000 ishte plagosur ku edhe kishte përfunduar në duart e forcave ruse.

Më vonë kishte arritur të ikë për në Austri, kurse gjatë procedurës së dhënies së azilit, ai kishte deklaruar  se kishte qenë i keqtrajtuar.

Mediat turke e quajnë “Çeçeni me një dorë”, pasi gjatë luftës kishte humbur njërën dorë. /Telegrafi/