Posta e Kosovës lëshon pullën kushtuar arkitektit të shquar Bashkim Fehmiu

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim pullën e re dedikuar arkitektit të shquar Bashkim Fehmiu (1930–2008).
Bashkim Fehmiu mbetet një figurë kyçe në historinë e Prishtinës moderne, jo vetëm për kontributin e tij në arkitekturë, por edhe për vizionin që formësoi frymën e qytetit, përcjell Telegrafi.
Ai nuk ishte thjesht një arkitekt që dizajnonte objekte, por një vizionar që krijonte hapësira ku njerëzit jetonin, mësonin dhe ëndërronin. Pas vetes la gjurmë të pashlyeshme në lagjet e banimit, kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe ndërtimet ikonike si hoteli “Grand”.
Fehmiu themeloi Entin e Urbanizmit të Prishtinës, duke udhëhequr zhvillime urbane të rëndësishme dhe duke kryesuar Katedrën për Urbanizim dhe Planifikim Hapësinor deri në pensionim në vitin 1991. Ai konsiderohet pionier i arkitekturës moderne në Kosovë, duke kombinuar funksionalitetin me estetiken dhe duke e bërë arkitekturën një gjuhë të përbashkët për qytetarët.
Librat dhe punimet e Bashkim Fehmiut i janë dhuruar Fakultetit të Arkitekturës, ku është hapur edhe biblioteka dhe ekspozita që mban emrin e tij, duke ruajtur trashëgiminë dhe frymën e veprës së tij për brezat e ardhshëm.
Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës synon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të vendit, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët që ta pasurojnë koleksionin e tyre me këtë emision të veçantë, që nderon figurën e arkitektit Bashkim Fehmiu. /Telegrafi/

















































