Policia e Rajonit të Prishtinës po vazhdon angazhimet për të rritur sigurinë në trafik dhe për të parandaluar shkeljet që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve.

Në kuadër të këtyre kontrolleve të shtuara, gjatë 24 orëve të fundit janë shqiptuar rreth 600 gjoba ndaj ngasësve të cilët nuk kanë respektuar rregullat e qarkullimit rrugor.


Sipas njoftimit të Policisë, këto masa janë pjesë e një strategjie më të gjerë për të disiplinuar drejtuesit e automjeteve dhe për të zvogëluar numrin e aksidenteve në kryeqytet dhe rrethinat e tij.

Përveç patrullave në teren, policia ka reaguar edhe ndaj denoncimeve të qytetarëve dhe mediave për shkelje të ndryshme në komunikacion.

Njësia e trafikut rrugor ka identifikuar dhe ndëshkuar drejtuesit që kanë kryer shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes, mosrespektimi i vijave të këmbësorëve dhe ngasja nën ndikimin e alkoolit.

Policia apelon tek qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e trafikut për të shmangur ndëshkimet dhe, më e rëndësishmja, për të kontribuar në sigurinë e përgjithshme në rrugë. Autoritetet paralajmërojnë se kontrollet do të vazhdojnë me intensitet të shtuar në ditët dhe javët në vijim./Telegrafi/