LAJMI I FUNDIT:

Policia e Kosovës konfiskon 1.200 fishekë në një fshat të Zveçanit

Policia e Kosovës konfiskon 1.200 fishekë në një fshat të Zveçanit

Policia e Kosovës ka brë të ditur se të hënën i ka konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit.

Zveçani, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, janë komuna të banuara me shumicë serbe në veri të vendit.

Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se kjo sasi e dyshimtë është konfiskuar nga Njësia e saj për Ndërhyrje të Shpejtë, gjatë patrullimeve në atë zonë.


“Me datë 14.08.2023 Policia e Kosovës, respektivisht Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë – NjNSh nga Policia Kufitare, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta të patrullimit, në afërsi të një shtëpie të braktisur në fshatin Rudine – Zveçan kanë hasur në dy qese me municion të dyshuar, me sasi prej mbi 1200 (njëmijë e dyqind) fishekësh”.

“Në vendngjarje kanë dalur edhe njësia e Hetimeve dhe Forenzikës nga DRP Mitrovicë Veri, e cila ka bërë ekzaminim e vendit të ngjarjes si dhe konfisikimin e municionit të dyshuar. Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent me urdhër të të cilit rasti i kalohet njësive përkatëse policore nga DRP Mitrovicë Veri për procedurat e mëtejme hetimore”.

“Policia e Kosovës do të vazhdoj të mbetet e përkushtuar në luftimin, hetimin dhe identifikimin e  kryesve të veprave penale dhe dukurive të tjera negative, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim”, thuhet në njoftim.

Më 11 gusht, Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona në Zveçan, të cilët kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë, derisa kjo e fundit ka thënë të ketë qenë duke e luftuar kontrabandën.

Policia e Kosovës  atë ditë se i ka konfiskuar tri makina dhe një kamion, dhe se përveç kontrabandës, ka gjetur edhe lëndë narkotike.

Javën e kaluar Policia e ka gjetur në Mitrovicë të Veriut edhe një laborator droge, në të cilin ka pasur pajisje për mihje të kriptovalutave.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta sidomos në maj dhe qershor të këtij viti.

Serbët lokalë e kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore.

Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.