Festivali “Sunny Hill” është kryetema e këtyre ditëve në kryeqytet.
Parku Gërmia është ndezur nga performancat e shumta që yjet botërorë dhe artistët vendas kanë sjellë për një numër të konsiderueshëm njerëzish që sivjet morën pjesë në festival.
Mirëpo ka pasur edhe prej atyre këngëtarëve që kanë tentuar të hipin në skenë për të performuar, ani pse s’kanë qenë të ftuar apo të kontraktuar për ta bërë një gjë të tillë.
Një gjë të tillë ka tentuar ta bëjë këngëtari Shemsi Krasniqi, i njohur përndryshe edhe si Shemi i grupit Ilirët.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për shtyp ka konfirmuar se e ka arrestuar solististin e grupit Ilirët, për arsye të thyerjes së rregullave të festivalit.
“Gjatë zhvillimit të Festivalit Sunny Hill, i cili po mbahet në parkun e Gërmisë, më 06.08.2022 rreth orës 16:50, te bina ku përformojnë artistët, është ndaluar: Sh.K., (viti i lindjes 1955, mashkull kosovar), i cili pa autorizim kishte hipur në binë. Zyrtarë policorë që janë të angazhuar në ofrim të sigurisë gjatë zhvillimit të festivalit, kanë kërkuar që personi në fjalë të largohej nga aty. Ai nuk ka respektuar urdhrin e personit zyrtar dhe me këtë rast është shoqëruar në stacionin policor. Policia për rastin ka njoftuar prokurorin kujdestar dhe me udhëzim nga i njëjti, i shqiptohet fletë-paraqitje për mosrespektim të urdhrave të personit zyrtar. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në respektimin e ligjit dhe ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë, vet Krasniqi përmes një statusi të publikuar në rrjetin social Facebook shprehu mllefin e tij nga festivalit “Sunny Hill” dhe organizatorit Dukagjin Lipa, duke thënë se ishte betuar në fëmijët e tij që s’do ta linte të ngjitej në skenë. /Telegrafi/