Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar ka intensifikuar aktivitetet për parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor, duke shqiptuar një numër të konsiderueshëm gjobash dhe masash ndëshkuese ndaj shkelësve të rregullave të trafikut.

Sipas komunikatës për media, në periudhën nga 8 deri më 14 dhjetor 2025, janë shqiptuar gjithsej 1,447 gjoba kundërvajtëse, ndërsa 27 patentë shoferë janë pezulluar për shkak të shkeljeve të rënda në trafik.


Gjatë së njëjtës periudhë kohore, në rajonin e Ferizajt janë regjistruar gjithsej 20 aksidente trafiku. Prej tyre, pesë aksidente kanë rezultuar me lëndime, ku janë lënduar shtatë persona, ndërsa 15 aksidente të tjera kanë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara në terren me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, duke apeluar njëkohësisht tek të gjithë shoferët që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit.

Po ashtu, policia fton qytetarët që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital “Lajmëro policinë”, apo numrit kujdestar 192. /Telegrafi/