Drejtuesit e Policisë rajonale të Prizrenit kanë nënshkruar marrëveshja të bashkëpunimit me komunat e këtij rajoni dhe Postën e Kosovës për kryerjen e shërbimeve postare veçanërisht për shpërndarjen e gjobave të trafikut.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kryetari Shaqir Totaj të martën ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe Postën e Kosovës për kryerjen e shërbimeve postare, “me fokus të veçantë në shpërndarjen e dërgesave dhe gjobave të trafikut rajonal, që synon përmirësimin e efikasitetit të shpërndarjes së dokumenteve dhe forcimin e koordinimit ndërmjet institucioneve”.


Ndërkaq Komuna e Dragashit ka njoftuar se kryetari Bexhet Xheladini me drejtuesit policorë ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për kryerjen e shërbimeve postare ndërmjet Komunës së Dragashit, Policisë së Kosovës dhe Postës së Kosovës.

“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që të bëhet pranim/përpunimi i e-Tiketave (gjobave) dhe shpërndarja përmes shërbimit postar të veçantë me Lajmërim Marrje (LM), me përmbajtje gjoba nga trafiku rrugor të shqiptuara nga Policia e Kosovës për shkeljen  e rregullave të komunikacionit rrugor në territorin administrativ të Komunës së Dragashit, duke i dorëzuar ato në adresën e marrësve/në adresën sipas shënimit në zarfin nga Policia e Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Ngjashëm ka njoftuar edhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i cili ka theksuar se vazhdon bashkëpunimi ndërinstitucional me Policinë e Kosovës. “Gjithmonë për sigurinë e qytetarëve”, ka shkruar ai.

Ndërsa kryetari i Mamushës, Abdylhadi Krasniq ka theksuar se po vazhdon bashkëpunimi  me Policinë e Kosovës. /Telegrafi/