Policia aksion në tri rajone, kundër drogës dhe krimeve kibernetike

Policia e Kosovës ka nisur një operacion në tri rajone kundër trafikimit me substanca narkotike dhe krimeve kibernetike.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
"Pas një pune operative dhe hetimore, nga zyrtarët e Departamentit të Hetimeve të Policisë së Kosovës (PK), nën autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), sot në orët e hershme të mëngjesit është realizuar një operacion i suksesshëm policor. Gjatë këtij operacioni policor janë kryer kontrolle në tri rajone të Kosovës që përfshijnë një numër të konsiderueshëm të lokacioneve të ndryshme, kundër trafikimit me narkotik dhe krimeve kibernetike", ka pohuar ai.
Mes tjerash, Kelani ka shtuar se të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ndërsa detajet tjera do të bëhen pas kompletimit të operacionit.
Lidhur me aksionin që po zhvillohet në disa rajone të Kosovës janë deklaruar edhe nga Prokuroria Speciale.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta tha për Telegrafin se aksioni lidhet mbi dyshimet për kontrabandim me substanca narkotike.
"Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, në bazë të urdhrit të Gjykatave kompetente, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka zhvilluar një aksion mbi dyshimet rreth kontrabandimit me substanca narkotike. Bastisjet janë zhvilluar në disa lokacione, nën udhëheqjen e prokurorit të rastit të Prokurorisë Speciale. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës", deklaroi ajo./Telegrafi/



















































