Podcasti “Siguria në Rrugë” trajton mobilitetin urban si sfidë për qytetet moderne

Është publikuar episodi i dytë i podcastit edukativ dhe ndërgjegjësues “Siguria në Rrugë”, i cili kësaj radhe fokusohet në temën “Mobiliteti në mjediset urbane”, një çështje jetike për zhvillimin dhe funksionimin e qyteteve bashkëkohore.
Në këtë episod, autori Muhamed Krasniqi zhvillon një bisedë me profesorin Mevlan Bixhaku, ligjërues i rregullt në Kolegjin Tempulli, duke analizuar në thellësi sfidat dhe perspektivat e mobilitetit urban në kontekstin kosovar dhe më gjerë.
Biseda përqendrohet në aspekte të rëndësishme si: Promovimi i lëvizjes aktive përmes ecjes dhe çiklizmit, zhvillimi i transportit publik për të ulur varësinë nga automjetet private, menaxhimi i trafikut dhe parkimeve në funksion të qarkullimit më të sigurt dhe efikas, zgjidhjet infrastrukturore për nyjet problematike dhe rrethrrotullimet, përdorimi i teknologjive të reja për krijimin e qyteteve të zgjuara dhe të qëndrueshme, nevoja për përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në planifikimin urban, përfshirë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe fëmijët.
“Siguria në Rrugë” synon të kontribuojë në ndërtimin e një kulture të re të sjelljes së sigurt në trafik përmes edukimit qytetar dhe ndërgjegjësimit publik.
Episodin e plotë mund ta ndiqni në kanalin zyrtar në YouTube. /Telegrafi/

















































