Akoma nuk është në treg, por tashmë është rekordmen - më 20 qershor 2025, Volkswagen do të prezantojë në garën 24-orëshe në Nürburgring modelin Golf GTI Edition 50.

Ky është GTI më i fuqishëm serik deri më tani dhe një model ekskluziv për 50-vjetorin e ikonës së veturave kompakte sportive. Festimi i këtij jubileu do të mbahet në vitin 2026, paralelisht me hyrjen në treg të modelit të ri.


Golf GTI Edition 50 tashmë ka hyrë në historinë e Nürburgringut dhe të markës Volkswagen: drejtuesi Benny Leuchter përshkoi një rreth në Nordschleife me një automjet testuese pothuajse serike të Golf GTI Edition 50 në kohën 07:46:13 minuta. Asnjëherë më parë Volkswagen me homologim rrugor nuk ka qenë më i shpejtë në Nürburgring.

Golf GTI Edition 50 do të jetë në dispozicion opsionalisht me paketën Performance, që përfshin një shasi me performancë të lartë dhe llanta shumë të lehta 19-inç dhe goma Bridgestone Potenza Race me sipërfaqe të pjesshme të lëmuar, të zhvilluara posaçërisht për këtë automobil. Gomat janë montuar në rrota shumë të lehta të shtypura me kallëp, që zvogëlojnë ndjeshëm masën rrotulluese.

“Veturën rekord e kishte e pajisur me këtë paketë, që sipas mendimit tim ishte faktori vendimtar”, tha Leuchter.

Tre vjet më parë, Leuchter kishte vendosur kohën më të mirë për një Volkswagen rrugor me Golf R 20 Years (245 kW/333 KS) me tërheqje në të katër rrotat: 07:47:31.

Është e rëndësishme të theksohet se rrethi i matur atëherë në Nürburgring Nordschleife fillonte para tribunës T13. Fillimi dhe fundi i matjes ishin në fillimin dhe në fund të tribunës, ndërsa rreth 200 metra mes tyre nuk llogariteshin. Koha zyrtare prej 07:46:13 për Golf GTI Edition 50 përfshin edhe këtë distancë.

Nuk dihet ende fuqia e modelit, por sigurisht do të jetë më i fuqishëm se GTI serik që ka 265 kuaj/fuqi. /Telegrafi/