“Po, është në shënjestrën e tyre”, agjenti i Sandro Tonalit konfirmon interesimin e top klubeve angleze

Agjenti i Sandro Tonalit, Beppe Riso, ka shprehur mirënjohjen ndaj Newcastle dhe tifozëve të klubit për mbështetjen që i kanë dhënë mesfushorit italian, por ka konfirmuar gjithashtu interesimin nga klubet më të mëdha të Ligës Premier.
Riso ka bërë të ditur se klienti i tij është në radarët e skuadrave që synojnë titullin në Angli.
“Ai është një kampion; para së gjithash në aspektin njerëzor dhe, për rrjedhojë, edhe në fushë”.
“Ideja ishte ta çonim Sandron në një nivel të lartë; ishte diçka intriguese. Doli të ishte një zgjedhje e fituar edhe pas asaj që ndodhi më pas [pezullimi për baste]. Tifozët e Newcastle dhe klubi janë sjellë në mënyrë të jashtëzakonshme me Sandron, duke e mbështetur në çdo moment”, ka thënë Riso për "Calcio&Finanza".
Kur u pyet nëse Tonali tashmë është objektiv i klubeve që synojnë titullin në Liga Premier, agjenti u përgjigj:
“Saktësisht, ky ishte qëllimi. Natyrisht, ai është në shënjestër të tyre. Po bën shumë mirë”.

“Ky ishte vizioni kur morëm vendimin [për transferimin te Newcastle]. Ta bëjmë Sandron një lojtar të nivelit më të lartë. Lojtarin italian më të vlefshëm”.
Tonali iu bashkua Newcastle nga Milani në verën e vitit 2023 për një shumë mbi 70 milionë euro.
Mesfushori italian shënoi një gol dhe dha një asist në fitoren 2-0 të Italisë ndaj Irlandës së Veriut në gjysmëfinalen e play-offit për Kupën e Botës.
Megjithatë, “Azzurrët” dështuan të kualifikohen për Kupën e Botës për herë të tretë radhazi, pasi u mposhtën në finale nga Bosnja dhe Hercegovina pas penalltive.
Këtë sezon, Tonali ka realizuar tre gola dhe ka dhënë shtatë asistime në 47 paraqitje me Newcastle, ndërsa kontrata e tij në “St. James’ Park” skadon në qershor të vitit 2028./Telegrafi/



















































