Një në katër të rinj në Evropë punon dhe studion njëkohësisht. Të dhënat më të fundit të EUROSTAT-it për vitin 2024 tregojnë se 25.4 për qind e të rinjve të moshës 15–29 vjeç ishin të punësuar gjatë arsimit formal, duke reflektuar një model ku shkollimi dhe tregu i punës ndërthuren gjithnjë e më shumë. Në shumë vende të BE-së, puna gjatë studimeve shihet si pjesë normale e zhvillimit profesional dhe pavarësisë financiare të të rinjve.

Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut, ky realitet mbetet larg. Të dhënat në vend tregojnë se pjesëmarrja e të rinjve në tregun e punës është dukshëm më e ulët dhe tranzicioni nga arsimi në punësim vazhdon të jetë një nga pikat më të dobëta të sistemit socio-ekonomik. Sipas të dhënave zyrtare dhe raporteve ndërkombëtare, vetëm rreth 20 për qind e të rinjve të moshës 15–24 vjeç në vend janë të punësuar. Edhe në grupmoshën më të gjerë 15–29 vjeç, shkalla e aktivitetit në tregun e punës arrin rreth 46–47 për qind, shumë më poshtë se mesatarja evropiane. Këto shifra tregojnë se një pjesë e madhe e të rinjve ose mbeten të përqendruar vetëm në arsim, ose përjashtohen plotësisht nga tregu i punës.


Një nga treguesit më shqetësues është përqindja e lartë e të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim. Në Maqedoninë e Veriut, norma e të rinjve NEET lëviz mes 20 dhe 24 për qind, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e BE-së. Në kontrast, të dhënat e EUROSTAT-it tregojnë se në vendet e Evropës Veriore dhe Qendrore, si Holanda, Danimarka dhe Gjermania, përqindja e të rinjve që punojnë gjatë studimeve arrin nga 45 deri në mbi 70 për qind. Në këto vende, punësimi studentor është i rregulluar, i mbështetur institucionalisht dhe shpesh lidhet drejtpërdrejt me profesionin që të rinjtë ndjekin në arsim.

Në vendin tonë, puna gjatë studimeve ekziston, por kryesisht në formë joformale dhe jashtë statistikave zyrtare. Shumë studentë punojnë në sektorë me paga të ulëta, pa kontrata të qëndrueshme dhe pa sigurim social, gjë që e bën këtë përvojë më shumë një mekanizëm mbijetese sesa një hap drejt zhvillimit profesional. Pikërisht për këtë arsye, statistikat zyrtare nuk arrijnë të pasqyrojnë realisht përmasat e punësimit gjatë studimeve.

Dimensioni gjinor thellon edhe më tej pabarazitë. Edhe pse vajzat në vend janë më të përfaqësuara në arsimin e lartë, ato përballen me shkallë më të ulët punësimi dhe me pasivitet më të lartë krahasuar me burrat, sidomos pas përfundimit të studimeve. Ky trend përputhet me gjetjet e EUROSTAT-it për Evropën, por në kushtet e tregut vendor, pasojat janë më të theksuara.

Ndryshe, krahasimi me Evropën nxjerr në pah një dallim thelbësor, ku derisa në BE sfida kryesore është balancimi mes punës dhe arsimit, në Maqedoni, sfida mbetet vetë përfshirja e të rinjve në tregun e punës. Papunësia e lartë e rinisë, mungesa e punës së rregulluar studentore dhe përqindja e madhe e NEET-ve tregojnë për një sistem që ende nuk arrin t’i shoqërojë të rinjtë nga shkolla drejt punësimit. (koha.mk)