Qershitë nuk do të jenë edhe për shumë kohë në treg prandaj, nëse nuk keni provuar ende të realizoni me to një recetë të kripur, është koha e duhur! Përbërësit:▪ 500 gr oriz ▪ 100 gr gjalpë ▪ gjysmë qepe të prerë imët ▪ gjysmë gote verë të bardhë ▪ 1 lt lëng mishi (mund të jenë kocka të ziera) ▪ 400 gr qershi të pastruara dhe të prera përgjysmë ▪ kripë, piperPërgatitja:

Shkrijmë në zjarr të ngadaltë gjalpin dhe shtojmë aty qepën e grirë imët; e lëmë në zjarr derisa të zverdhet duke e përzierë vazhdimisht.


Shtojmë orizin duke vijuar përzierjen derisa të thithë të gjithë gjalpin. Në këtë moment, ngremë flakën dhe e shuajmë orizin me verën e bardhë dhe e lëmë të avullojë.

Më pas shtojmë dy garuzhde lëng mishi të vluar, gjithmonë duke e përzierë deri sa të avullojë.

Shtojmë qershitë e pastruara dhe dy garuzhde të tjera me lëng mishi. Shtimi i lëngut bëhet gradualisht, në varësi të zierjes.

Kur të jetë gati, e heqim nga zjarri, e spërkasim me gjalpë, kripë e piper dhe e lëmë të rrijë 5 minuta përa se ta konsumojmë.

Receta u përgatit nga Alma Verushi