Nadire Buzo
Sapo hyn në Galerinë e madhe të Muzeut Historik, mbetesh e mahnitur nga zjarri i ngjyrave që përflaknin sallën. Aty, betejat e Heroit tonë Kombëtar Skënderbeu shfaqen si në një film gjigant të përmasave hollivudiane, në HD, 3D. Disa çaste mbetesh pa fjalë e s’di se ku ndodhesh: në një ekspozitë pikture të artistit Vangjel Gjikondi, apo në një betejë Skënderbejane në “Gjirin e Kontit”…
Nga marramendja do të më zgjonte një zë tjetër artisti, diku pranë meje,. “Po, po, vetëm muzika e filmit Skënderbeu i mungon”. – Po mik, e vërtetë, po të ishte ende në jetë Çesk Zadeja, do të kompozonte një kolonë zanore të re, po aq të bukur për këtë film të ri, të madh të Gjikondit. Po ka edhe një shans, nëse ekspozitën do ta shohë Aleksandër Peçi, do të krijonte një kryevepër tjetër.
Është një ekspozite e përveçme, me tablo gjigante në përmasa dhe përmbajtje. Gjithçka përmbush ky jubile për Skënderbeun. Ekspozita herë dukej si një tablo e tëra dhe nuk dije nga ta nisje. Fuqia magjike e ngjyrave dhe karakteri psikologjik i personazheve, fryma historike dhe tokësore, cilësia e veçantë e kësaj ekspozite me një bukuri madhështore. Asnjëherë nuk më ishte dukur kaq i plotësuar Muzeu Kombëtar, me 60 tablotë e Gjikondit me epopenë e lavdishme të sagës së shqiptarëve.
E nisa nga munda dhe i qëmtova tablotë një nga një: secila tregonte një ngjarje, një histori; kishin veçantinë e tyre unike dhe të përbashkëta të mëdha, Sagën e Shqiptarëve me heroizmin vetëmohues dhe shpirtin e bukur, rebel, dhe të brishtë të Vangjel Gjikondit. Kishin brenda tyre dashurinë e madhe për këtë sagë stërgjyshore. Madhështinë e tablove në lirinë dhe kurajën krijuese për të na sjellë një epope të lavdishme.
Te duket sikur ke përpara gravura të shekujve të hershëm. Të sjellin ndërmend romantizmin apo Rilindjen e artë, të viteve kur ndodhin ngjarjet. Mjetet figurative të përdorura në realizimin e tablove, ku qielli dhe atmosfera e luftës shkrihen në një të tërë, duke formuar karakterin unik të veprës. Shkëlqimi i veshjeve dhe shpatave, njollat e gjakut, pluhuri, retë, qielli, me ndriçimin dramatik dhe lëvizjet dinamike të personazheve e veçanërisht e Heroit Kombëtar. Qëmtimi me detaje i çdo figure njerëzore, qoftë edhe në miniaturë apo në plan të parë, paraqitja e kështjellave, e pallateve luksoze, lëvizjet dinamike të personazheve kryesore, kanë përsosmërinë e shprehjes, madhështinë dhe tragjedinë e Heroit legjendar dhe popullit të tij. Nga njëra tablo në tjetrën sheh pamjet e bukura, herë natyraliste dhe herë idealiste. Paraqitja e hollësishme e sendeve dhe figurave të shumta me kuajt e bardhë dhe lëvizjet e trokut të tyre, iu japin tablove një dinamikë të fuqishme, por dhe një harmoni që krijon ngjyra e bardhë. Këtë gërshetim bën piktori shpesh herë brenda tablosë, për të zbutur flakërimin e ngjyrave dhe ngjarjeve.
Tek sheh mbetesh përpara këtyre kompozimeve të mëdha, si piktura monumentale, prirjet shumëplanëshe e dekorative.
“Këtë ekspozitë e kam nisur përpara dhjetë vitesh, aty rreth vitit 2008. Isha duke lexuar një libër të Ismail Kadaresë që flet për ‘Sagën e Shqiptarëve’. Kështu më lindi si një ëndërr përfytyrimi për një ekspozitë mbi këtë temë. Dhe kështu e quajta në fillim, Saga e Shqiptarëve. Fillova punën duke hedhur idetë e mia në telajo. Më pas m’u desh të shikoja filmin ‘Skënderbeu’, i cili më nevojitej për skemat. Vazhdoja të punoja dhe të lexoja Historinë e Skënderbeut të Barletit, dhe rilexoja librat që flisnin për këtë temë. Naim Frashërin, De Radën dhe rilindës të tjerë. Tablotë i përfundova para katër vitesh, porse kaluan kohë duke kërkuar ndihmë për paraqitjen e tyre. Derisa i ekspozova, kam vazhduar të punoj mbi to, duke i përsosur detajet dhe ngjyrat. Përkoi dhe me 550-vjetorin e vdekjes së heroit, e quajta “Historia e Skënderbeut”, pasi është figura qendrore e kësaj ekspozite”, thotë piktori.
Tek sheh ekspozitën të vjen në mend autori, një zotëri elegant me një shpirt delikat, një temperament i heshtur që çuditërisht merr një hov të veçantë mbi telajo. Të gjitha tablotë kanë zjarrin e ngjyrave të pastra të kombinuara aq bukur duke u mbështetur mbi folklorin, etnografinë dhe antropologjinë e shqiptarit; aty dominon e kuqja e gjakut, ndaj të duket se ndodhesh midis zjarrit të betejave. Freskia e ngjyrave, gama e tyre zotëron mjetet shprehëse, me një teknikë piktorike të veçantë, herë e butë dhe herë-herë e ashpër; shkëlqimi i sipërfaqeve të pikturuara me të kuqen e gjakut, me blunë e thellë dhe jeshilen e veçantë në disa nuanca, apo okrën dhe ngjyrat e dritës së diellit, herë të qeta e herë të vrullshme shtojnë dinamikën e tablosë. Hyjnizojnë kështu, të kaluarën heroike të Shqiptarëve.
Tablotë e punuara me një fuqi dhe fantazi shprehëse, ku në telajo janë hedhur efektet e ngjyrave, na tregojnë në mënyrë kronologjike epopenë e sagës së shqiptarëve; ato momente të rëndësishme heroike të kohës së kryetrimit të arbërve, Skënderbeut. Efektet e rralla të dritës iu japin forcën mahnitëse ngjyrave, duke na paraqitur heroizmin e kohës ndër luftërat e përgjakshme për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Gërshetimi kompozicional, spontan dhe harmonik i figurave të pasura në mjete shprehëse, u jep një bukuri madhështore tablove të pikturave. Figura e Skënderbeut, ndërtuar me një mjeshtëri të veçantë, ndryshe nga figurat e njohura në pikturat dhe skulpturat e realizuara më parë, por pa e deformuar imazhin që gëzon secili prej nesh për heroin, është realizuar me kujdes për t’i dhënë psikologjinë dhe pamjen tokësore, ku spikat energjia e brendshme, duke vënë në pah karakterin e tij luftarak dhe heroizmin vetëmohues në mbrojtje të atdheut.
“Është e vështirë të merresh me një figurë, mbi të cilën kanë punuar shumë autorë. Unë jam munduar që ta bëj ndryshe. E kam ulur në tokë Skënderbeun dhe e kam lidhur me popullin, me historinë edhe me betejat e ndryshme. Jam munduar që ta interpretoj edhe nga ana artistike, jo ta bëj strikt, në mënyrë fotografike.”
Është piktori i veçantë në realizimin e peizazheve, i lidhur shpirtërisht me natyrën e vendlindjes, Qeparoin dhe qiparisëve që hijeshojnë atë: plazhi i Skalomes, i veçantë për rërën e hollë dhe detin e cekët që të shfaqet përpara.
“Kam lindur në Tiranë. Kur isha i vogël shkoja shpesh te gjyshërit atje. Edhe kur isha student rrija me muaj të tërë në fshat. Në gjirin e vogël gjendet moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri si shpella e Frëngut dhe Hunda e Madhe. Rruga nacionale përmes ullishtave të çon në qendër të fshatit, përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Mitrit, ndërtuar në vitin 1881. Kisha e Shën Mitrit e stilit bizantin, ndërtuar në vitin 1760, ka vlera të mëdha për ikonostaset e saj prej druri. Mali përballë me gjelbërimin e përhershëm të shkurreve, me aromën e pranverës, plekset me erën e jodit dhe të leshterikëve të detit dhe ndokush pa frikë mund të thotë se të tillë aromë duhet të kishte pija ‘amprosio’ që pinin perënditë në Olimp. Po unë nuk kam bërë piktura vetëm për Qeparoin dhe Jugun; kam shumë të tilla edhe në veri, si Bjeshkët e Namuna, Lepush, Dragobi, Pamje nga Gjakova e plot të tjera për Tiranën, për Beratin, piktura moderne e punuar herët para viteve 90.”
E pyes me kërshëri për mbiemrin Gjikondi, se e kam hasur këtë mbiemër tek librat e shkrimtarit Ismail Kadare“ Ura me tri harqe” dhe Tek “ Doruntina”, se mos ka pasur ndonjë gji të kontit dhe ju e bëtë mbiemër? Ai qesh dhe përgjigjet: “Qeparoi i Vjetër (i sipërm) si gjithë ka pamje të bukur dhe arkitektonikë tradicionale. Gjithë rrugicat me kalldrëm dhe kishat e vjetra përbëjnë një figurë magjepsëse. Interes të veçantë paraqesin epigramet iliro-Kaone në muret e ndërtesave të ndryshme. Në territorin e Qeparoit ka pasur tetë kisha me gjithë ato që përmenden në Palermo. Jemi nga familjet e para shqiptare që kanë banuar atë vend. Dhe di që njëri nga stërgjyshërit e mi ka qenë prift me titull të lartë, në postin e Arkimandrit, që do të thotë zëvendësdespot. Po në Qeparo ka dhe mbiemra nga veriu, si Dedë dhe Kola. Të ardhura shumë shekuj më parë nga veriu i Shqipërisë.”
Këto bukuri të rralla të natyrës e bëjnë piktorin të hedh në tablo ngjyrat si notat muzikore të kompozitorëve të mëdhenj. Në tablotë për vendlindjen, toka dhe qielli shpesh janë një të shkrira me ndjesi dashurie dhe dhimbje. Na e paraqet marrëdhënien e tij me natyrën me një ndjenjë të hollë poetike, duke e kthyer forcën e ndryshimeve të saj në një forcë të brendshme artistike. Duke përdorur dritën dhe gamat ngjyruese të qeta.
Gjikondi nuk është piktor i trumbetave dhe tamtameve, por bën pjesë në rrethin e artistëve që janë të bindur për misionin fisnik të artit, për t’u bërë sa më i denjë për t’i shërbyer atij me penel në dorë, larg idhujve dhe adhurimeve
Lexoj fletëpalosjen dhe CV-në e tij, shumë ekspozita brenda dhe jashtë vendit…
I kam parë herët pikturat e Vangjos dhe di t’i dalloj që larg, ashtu si piktorëve të tjerë të mirënjohur të vendit tim. I kërkoj të më tregojnë diçka interesante. I druajtur në heshtjen e tij, fjalëpakë dhe i thjesht më tregon se në vitin 1985 “hapa një ekspozitë pikture në Pallatin e Kulturës, ku sigurimi i shtetit me mori librin e përshtypjeve, pasi kishin ardhur për të vizituar ekspozitën Ambasadat, ndër ta dhe Ambasada Italiane ku disa ditë përpara kishte kërkuar strehim politik familja Popa. Vinin plot të huaj; donin të blinin piktura me dollarë po ishte krejtësisht e pamundur… Më vinin rrotull çdo çast. Ishin të ndihmuar edhe nga piktorë të nomenklaturës, si Muntaz Dhrami, i cili erdhi në Pallatin e Kulturës ndërsa bëhesha gati të vendosja pikturat, të cilat i kisha radhitur poshtë, mbështetur në mur, ai i ra me shqelm pikturave i revoltuar duke më thënë: ‘ç’janë këto piktura të zymta, peizazhe pa diell? Ku e ke dritën e diellit?’”
– Po pastaj? Pyes kurioze se ajo kohë bënte çudira.
“Pastaj pata një kurajë, një kënaqësi të veçantë, kur po në vitin 1985 Hotel Dajti më bleu dhjetë peizazhe me pastel. Aty i kish parë shkrimtari Ismail Kadare. Ai erdhi në shtëpinë time disa herë; bleu disa peizazhe, më ftoi në shtëpinë e tij dhe ku për tre vjet rresht takoheshim te studio e tij e më pas shkonim pinim kafe te 15-kateshi. Ishte kënaqësi biseda me Kadarenë. Ndërsa pranonte se nuk ishte një njohës i mirë dhe studiues i pikturës, më fliste shumë për rrymat e artit dhe në veçanti për realizmin magjik. Kështu e përcaktonte pikturën time që prej asaj kohe. Në vitin 1987-1999 me botoi te revista, ‘Less Letres Albanaises’, dymbëdhjetë nga pikturat e mia. Ato piktura më afirmuan nga Kadareja në Aambasadat e huaja dhe në botë.”
E pyes nëse e kish takuar më pas Muntas Dhramin.
“Unë i shmangesha, jo vetëm që s’doja ta takoja por e pata frikë ca kohë. Më patën thënë disa miq se në një nga pleniumet e Lidhjes së Shkrimtarëve kishin propozuar për të më arrestuar, po më kishte mbrojtur Viktor Gjika me Kadarenë dhe Diana Çulin. Erdhi vetë Muntazi, para pak ditësh këtu te ekspozita dhe përsëri më ngacmoi; më mërziti shumë dhe ia ktheva keq pastaj. Sapo hyri më tha: Ç’e ke këtë Skënderbe kështu, pa kapele? Në fakt është një tablo ku Skënderbeu lufton me tartarët; aty edhe Barleti dhe Naim Frashëri e tregojnë Skënderbeun të zhveshur fare në duel. Unë i hodha një pelerinë të kuqe po nuk ia vura kapelën. Ai si gjithnjë dashakeqës. Më erdhi inat dhe i thashë: ‘Ç’ke bërë ti nga ato skulpturat butaforive të realizmit socialist’ etj. Ç’të thuash për këta njerëz që nuk ndryshuan kurrë. Vjen pas 33 vjetësh dhe më prish krejtësisht humorin. Mezi e mblodha veten, sepse m’u kujtuan edhe ato kohë… Po unë kam pasur shokë e miq shumë të mirë që kam mësuar shumë prej tyre edhe në ato kohë, si Zef Shoshi që më ka ndenjur pranë që i ri fare; kam shumë respekt për Fatmir Haxhiun nga i cili kam mësuar shumë për pikturën monumentale, se ishte njeri serioz me zemër të madhe; e kam mik Burhan Kacelin, poetin Betim Muço etj.”
Ekspozita ka brenda dhe frymën e romantizmit. Tablotë duken herë si gravura e herë monumentale; kanë brenda artin e rilindjes së artë, apo të realizmit magjik. Një vizitor i huaj ka shkruar në librin e përshtypjeve se është i impresionuar nga kjo pikturë ekspresioniste.
“Më pëlqen romantizmi… Kam studiuar pikërisht për pikturën monumentale ne Institutin e Lartë të Arteve, por atëherë pikturën monumentale e zotëronin të mëdhenjtë e unë bëja pjesë tek të vegjlit. Temën e diplomës doja ta mbroja me tablo të pikturës monumentale, por profesori më tha: vazhdo me peizazhin. Dhe unë bëra pejzash i cili u botua në të gjitha revistat e kohës. Ç’të them unë, më pëlqen e bukura në përgjithësi dhe aty ku ka tmerr, dhimbje dhe dramacitet dua ta zbus e ta bëj të bukur. Krijimtaria ime fillon me 1978-1990. Kam mbledhur mbi 1500 peizazhe të cilat i ruaj akoma. Nga viti 1991 kam rreth 1000 tablo me koncepte realiste dhe moderne si: peizazhe, portrete, kompozime etj.”
Në librin e përshtypjeve, ku vizitorët shprehin vlerësimet e tyre dhe urimet dhe falënderimet për këtë ekspozitë të bukur me një tematikë të madhe historike, një i huaj vlerëson pikturat e Gjikondit si ekspresioniste: “Piktor me krijueshmëri befasuese e mbresëlënëse. Zor se gjen ndonjë vend në botë të përkujtojë me respekt e dashuri një hero të vetin të shumë shekujve me parë, ashtu siç bëjmë ne shqiptarët me Skënderbeun e Madh. Imagjinata e piktorit në tablotë e tij ilustron më së miri aftësitë e Skënderbeut si një ushtarak e udhëheqës i sprovuar. E përshëndes piktorin e madh e i uroj atij suksese të mëtejshme”; “Të lumtë more djalë! Ekspozita jote “Historia e Skënderbeut”, jo vetëm e rrallë, por shumë domethënëse, sepse Skënderbeu dhe trimat e tjerë, kontët dhe ushtarët e tij, dhe i gjithë populli, luftuan për të mbrojtur trojet e Arbërisë, të mëvonshmit dhe këta të tanishmit duan t’i falin pa asnjë dhimbje dhe mbrojtje tokat shqiptare”, shprehet një vizitor i revoltuar. Ndërsa, kolegu i tij Zaim Elezi, shprehet se “Gjikondi tanimë është një artist me individualitet të përcaktuar, si në aspektin ngjyrues po ashtu edhe në atë grafik e teksturor. Tablotë e ekspozitës të krijojnë idenë e gobelinave të hijshme dhe të nurshme që rrinë mrekullisht në hapësirat e ekspozitës, jo thjesht duke ilustruar historinë vetëm, por duke të çuar thellë në kohë, në ato vite heroike dhe duke të bërë pjesë të tyre. Një punë kolosale plot dashuri dhe vetëmohim, dëshmi e karakterit të paepur të artistit. Ekspozitë kjo e duhur dhe absolutisht e pangjashme ne motiv dhe në të gjitha aspektet deri sot ne lidhje jo vetëm me temën dhe subjektin.
“Nuk më është pranuar që herët kjo ekspozitë. Skënderbeun mundohen ta s’postojnë për interesat politike. E përmendin disa herë me pompozitet, pastaj e lënë mënjanë. Që në vitin 2012 kam bërë kërkesë edhe nuk më kanë pranuar”, tregon Gjikondi.
Përshtypja e parë se po shihja një film HD, 3D, që nuk ishte e gabuar. Gjikondi e njeh mirë filmin; ai kur sapo mbaroi Institutin e Lartë të arteve 1978-1993 u emërua piktor filmi në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku ka realizuar dhjetë filma artistikë, prej të cilëve më i paharruari është“ Pranvera e hidhur” me Sandër Prosin…
“Ishte kënaqësi të rrije me Sandër Prosin. Ishte një njëri me kulturë dhe botë të madhe. Ai më fliste për piktorë të mëdhenj, që në ato kohë nuk ja zije dot emrin, si Van Gogu. Pëlqente shumë muzikën e Vagnerit dhe më fliste për të dhe për Niçen. Trishtohej shumë kur regjisorët nuk i merrnin parasysh vërejtjet dhe ndërhyrjet e tij në skenarët skeptikë të asaj kohe. Kishte shpesh një shikim të përhumbur dhe rrinte i menduar, po nuk dukej aspak në depresion. Ashtu si janë në fakt të gjithë artistët në përgjithësi, ndonjëherë duken të përhumbur.”
Largohem me mbresa të thella nga ekspozita, për t’u rikthyer përsëri.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje