Pezullohen punimet në ‘Shkupi 2014’

Vendimi i parë i Zernovskit kishte të bënte me shpalljen e një moratoriumi për projektin qeveritar ‘Shkupi 2014’.
Projekti ‘Shkupi 2014’ bazohet kryesisht në vendosjen e qindra përmendoreve dhe skulpturave të ndryshme në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë, dhe në ndryshimin e pamjes së të gjitha ndërtesave me stilin barok, me qëllim të - siç ishte thënë nga Qeveria – identifikimit të Shkupit me prejardhjen antike të maqedonëve.
Në postin e kryetarit të komunës Qendër Zernovski erdhi pas një sërë anulimesh të procesit zgjedhor, që, sipas tij, kishin për qëllim pamundësimin e fitores së opozitës, dhe për t’u fshehur të gjitha keqpërdorimet e bëra nga këshilli i komunës me miratimin e shumë vendimeve antiligjore për realizimin e këtij projekti, i cili, që nga nisja e tij është kundërshtuar me forma të ndryshme protestash.
“Nuk do të ketë përmendore të reja dhe nuk do të ketë objekte të reja. Ndoshta Ministria e Kulturës do të tentojë që me forcë ta bëjë një gjë të tillë, por ajo duhet të jetë e vetëdijshme se pa u konsultuar me Komunën Qendër nuk mund të bëjë diçka të tillë”, theksoi Zernovski për ReL.
“Atje ku ka kompetenca, Komuna Qendër nuk do ta lejojë pushtetin qendror që të bëjë çfarë të dojë. Ne nuk do të lejojmë që komuna jonë të jetë filial i pushtetit qendror. Projekti ‘Shkupi 2014’ do t’i nënshtrohet një auditimi të rreptë, dhe deri atëherë do të pezullohen të gjitha punimet në qendër të Shkupit”, pohoi tutje ai.
Zernovski dyshon se mjetet e shpenzuara deri tani për këtë projekt janë shumë më të larta se 207 milionë eurot e deklaruara nga ministrja e Kulturës, Elizabeta Kancevska, dhe nga ish-kreu i Komunës, Vladimir Todorovic.
Duke komentuar njoftimet e mediave të afërta me pushtetin, se ai do t’i rrënojë apo dislokojë përmendoret e ngritura, Zernovski sqaroi se, këto pohime janë spekulime që për qëllim kanë ngritjen e tensioneve, sepse përmendoret do të mbesin, por projekti nuk do të vazhdojë më.
Zernovski nuk e përjashton mundësinë e përfundimit të punimeve për vendosjen e përmendoreve të personaliteteve shqiptare, pasi që, siç theksoi, ato janë lënë qëllimisht të papërfunduara vetëm sa për t’i rritur tensionet ndëretnike.
“Unë nuk jam naiv. E di se përmendoret e heronjve shqiptarë nuk janë lënë të pakryera rastësisht, por nuk do të bie në një provokim të tillë. Ne do të shohim se deri ku kanë arritur procedurat, dhe do të veprojmë në përputhje me kompetencat tona”, sqaroi Zernovski.
Nga ana tjetër, duke komentuar vendimin për pezullimin e projektit ‘Shkupi 2014’, dhe në veçanti rastin e mosrealizimit të përmendoreve shqiptare - vendosja e të cilave është zvarritur tash e dy vjet – analistët vendorë politikë thonë se kreu i ri i komunës Qendër, të paktën s’do të duhej të pengojë vendosjen e tyre.
“Vendosja e tyre duhet të vazhdojë. Por, nëse auditohet projekti ‘Shkupi 2014’, atëherë do të duhej të auditoheshin të gjitha monumentet, e jo vetëm përmendoret shqiptare. Besoj se Zernovski nuk do ta bëjë këtë gabim, dhe që projektin ta ndërpresë pikërisht te monumentet shqiptare, meqë numri i tyre edhe ashtu është shumë i vogël në krahasim me monumentet tjera”, shprehet analisti, Albert Musliu.
Sipas tij, ndërrimi i pushtetit në Komunën Qendër ka krijuar një lehtësim për të gjithë, ngase tani do të ketë një transparencë për projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Maqedoni, i cili është përcjellë me polemika të shumta.
“Për qytetarët kjo është një mundësi e mirë, pasi që i gjithë ky proces nuk do të mund të zhvillohet pa debate. Veç kësaj, konsideroj se tash e tutje Qeveria do ta ketë më vështirë që t’i zbatojë projektet pa debate publike, pasi një gjë e tillë do të shfrytëzohej nga opozita për të alarmuar publikun”, vlerëson Musliu.
Sa i përket vetë çmimit të projektit, vlerësimet kanë qenë nga më të ndryshme. Përderisa pushteti pohon se deri më tani janë shpenzuar mbi 200 milionë euro, bazuar në të dhënat e opozitës, ‘Shkupi 2014’ mund të ketë kushtuar deri në gjysmë miliardi euro.
Përveç në Maqedoni, ky projekt është kritikuar edhe nga Greqia dhe Bullgaria, të cilat e kanë akuzuar Maqedoninë për përvetësim të historisë dhe të shumë heronjve të tyre, disa prej të cilëve tashmë janë vendosur në kryeqendrën e Maqedonisë. /Telegrafi/





















































