Përzgjedhësi Ilir Nallbani flet për suksesin e Kosovës U15 në “UEFA Development” ku zunë vendin e parë

Kombëtarja e Kosovës U15 e drejtuar nga Ilir Nallbani e ka përmbyllur me sukses turneun “UEFA Development” që u zhvillua gjatë kësaj jave në Maltë. Pas fitoreve me Estoninë (2:1) dhe me Gjibraltarin (0:0, 4:3 në penallti) Dardanët U15 kanë shënuar fitore edhe kundër nikoqires së turneut, Maltës, me rezultat 1:0, duke siguruar pozitën e parë me 8 pikë. Përzgjedhësi Ilir Nallbani u shpreh i kënaqur me atë çfarë treguan futbollistët e tij në këtë turne.

“Edhe në ndeshjen e dytë kundër Gjibraltarit kemi dominuar plotësisht, por fituam pas penalltive, kurse në ndeshjen e fundit me Maltën ka qenë një ndeshje speciale. Djemtë kanë qenë të mjaft përgatitur në aspektin mental dhe na kanë dhuruar emocione. Kemi pasur shumë raste dhe loja ka qenë e bukur”. “Kjo grupmoshë kur dalin jashtë shtetit kanë paksa vështirësi, gjë e cila është normale, por në fund ia kanë arritur t’i kryejnë detyrat siç duhet dhe të japin më të mirën në fanellën e Kombëtares së Kosovës”.






















































