Përurohe investimet e efiçiencës në 4 ndërtesa sociale në Obiliq e Drenas

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të punimeve në katër ndërtesa shumë-banesore sociale, në kuadër të projektit “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për Ndërtesat Shumë-Banesore Sociale”, i zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancim nga komunat përkatëse.
Ministrja Rizvanolli theksoi se ky projekt synon përmirësimin e kushteve të jetesës dhe uljen e kostove të energjisë për familjet përfituese. “
Masat e zbatuara janë të plota: izolimi i mureve, ndërrimi i dritareve dhe dyerve, izolimi i çatisë, ndriçimi i ri LED me efiçiencë të lartë dhe instalimi i sistemit të ri të ngrohjes. Krahas këtyre, janë realizuar edhe punime të rëndësishme për sigurinë dhe funksionalitetin e ndërtesave, përfshirë riparimin e korridoreve, përmirësimin e instalimeve elektrike, sistemin paralel të ujësjellësit, hidroizolimin dhe masat kundër zjarrit,” tha ministrja.
Nga Obiliqi, investimet në dy ndërtesa sociale në fshatin Plemetin kanë rezultuar me ulje të konsumit të energjisë deri në 73%. Ndërkaq, investimet në dy ndërtesa në Drenas, me vlerë mbi 380 mijë euro, kanë përmirësuar kushtet e jetesës për 50 familje, ose rreth 250 qytetarë. “Këto familje tashmë kanë banesa më komode dhe një ulje të dukshme të konsumit të energjisë deri në 82%, që përkthehet në kosto më të ulëta të energjisë,” deklaroi Rizvanolli.
Në aktivitet morën pjesë gjithashtu Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Alessandro Bianciardi, Drejtoresha Menaxhuese e FKEE-së, Njomza Hoxha, nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, si dhe Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
"Gjatë këtyre aktiviteteve u theksua rëndësia e investimeve në efiçiencë të energjisë si një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm, përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve dhe reduktimit të ndikimit në mjedis", thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Ekonomisë.
















































