LAJMI I FUNDIT:

Përforcohet Peja (Foto)

Përforcohet Peja (Foto)

Skuadra e Pejës të enjten ka konfirmuar përforcimin e katërt të huaj, të njëjtën ditë kur Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka zyrtarizuar tërheqjen e Kastriotit nga garat e Superligës për edicionin 2015/16, që nis këtë fundjavë.

Basketbollisti amerikan Sam Muldrow, që luan në pozitat katër dhe pesë, është përforcimi më i ri, shkruan sot Koha Ditore.

Muldrow 27-vjeçar, në edicionin e shkuar luajti në Republikën Domenikane te skuadra Titanes dhe pati mesatare prej 10.7 pikëve për ndeshje.

Muldrow po ashtu karrierë ka bërë edhe në Evropë, te skuadrat ALM Evreux (Francë), Dnipro (Ukrainë), Pieno Zvaigzdes (Lituani) e Aris (Greqi), derisa në SHBA ishte pjesë e Universitetit të South Carolina. Ai është i huaji i katërt për këtë edicion te Peja pas amerikanëve Kewin Burwell e Ronald Boo Davis dhe kroatit Nenad Deliq.


Peja fundjavën e shkuar fitoi Superkupën e Kosovës, pasi mposhti Sigal Prishtinën në palestrën "Karagaçi".

Skuadra pejane në edicionin e ri do të marrë pjesë për vitin e tretë rresht në Ligën Ballkanike dhe ndeshjen e parë në këtë garë do ta luajë kundër Bashkimit, më 13 tetor.