Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë (DHTIK) me anë të një reagimi publik kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndryshohet Ligji për Festat Zyrtare.
Sipas DHTIK-së, festat zyrtare nuk duhet të zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë fundjavës.
“Praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë fundjavës, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht Neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit ‘kur ditët e festave zyrtare të cekura në Nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës’, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, kjo Dhomë kërkon që të festohen por të mos jenë ditë pushimi, Dita e Kushtetutës dhe ajo e Evropës.
“DHTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin”, përfundon DHTIK-ja. /Telegrafi/