Kur hodhi dorën mbi dy duart e shtrënguara të Arbën Xhaferit dhe Imer Imerit, në mars 2001, në një furrë në periferi të Prizrenit, Ali Ahmeti ua kishte bërë me dije se ai ishte drejtues i ri i shqiptarëve të Maqedonisë. Në njëfarë mënyre delegjetimoi PDSh-në, atëbotë në pushtet, dhe PPD-në në opozitë.

E kishte forcën e kallashnikovit. Donte marrëveshje me maqedonasit. Donte të ndryshonte pozitën e shqiptarëve. Dhe, ia arriti. Në pranverën dhe verën e atij viti sprovoi shtetin e brishtë, duke kërkuar me ngulm marrëveshje. E kishte dorëzanë ambasadorin Robert Frowick.


Drejtoi UÇK-në në terren dhe në mënyrë të tërthortë mbikëqyrte negociatat që bëheshin në Ohër, për t’i dhënë fund luftimeve. Marrëveshja u bë si u bë! Shqiptarët mbetën pakicë edhe në marrëveshje. Maqedonasit e ruajtën ekskluzivitetin mbi shtetin, shqiptarët u pajtuan me unitarizmin. U pajtua edhe Ali Ahmeti! Sikur mezi kishte pritur paqen - të futej në politikë e të drejtonte shqiptarët. Thoshte se ka ditur të bëjë luftën dhe di të bëjë edhe politikën! Dhe, bëri politikë qe 24 vjet.

Ky ishte një prolog për gjeneratat e reja që nuk e kanë përjetuar 2001-shin. Për këto gjenerata dhe ato të lindura pas këtij viti, rrëfimi është se ai është heroi i luftës dhe ndryshuesi i pozitës së shqiptarëve. Ky rrëfim edhe e mbajti gjallë tërë këto vite.

Më shumë se dy dekada e mori votën e shqiptarëve. Politika është profesion i mallkuar! Doli se dinte të bënte politikë. Por, mallkimi i erdhi mbrapa. Nuk mori mësim nga PPD-ja dhe PDSh-ja. Fati i tyre po e përcjell. Zgjodhi të luante me njerëzit e afërt dhe ata që i delegonte. Gjysma ia kthyen shpinën kur filloi të zbehej figura e tij e përbashkuesit të shqiptarëve. Edhe daja, shoku i fëmijërisë e idealit dhe gjysma e farefisit ia kthyen shpinën.

Nga përbashkuesi i politikës u bë përçarësi. Me politikën e mosfreskimit të partisë, ndër vite u bë përçarësi më i madh i shqiptarëve, duke koketuar me Mendu Thaçin dhe aleancat që bashkoheshin jonatyrshëm. Përçau BDI-në, dhe pasi humbi dy palë zgjedhje, ende mundohet të kamuflohet nën pelerinën e komandantit. Edhe në Kosovë përbashkoi PDK-në, edhe pse me Hashin Thaçin nuk kishte raporte të mira që moti.

Para vetes ka kongresin e partisë, ku paraprakisht la të kuptohej se nuk është fajtor si drejtues i partisë dhe koalicionit. Kërkon dorëheqjen e të gjithëve përpos vetes. Në kongres do të thyhen shtigjet. Parakongresi i mbajtur këto ditë, i quajtur i Vazhdimësisë, sikur paralajmëroi se do të ketë ndryshime të mëdha. Atyre që iu dha fjala sikur ia vulosën vetes largimin nga pozitat drejtuese.

“Luje macë kryt e bullit!”, u pat përgjigjur në një intervistë dikur. Edhe tash ka ardhur koha e kësaj metafore! I ka ardhur koha të mbrojë veten e jo partinë. E ka vështirë të bind bashkëpartiakët se ai nuk është fajtori për humbjen në zgjedhjet lokale. Edhe për humbjen e dyshimtë në Kërçovë!

Pakënaqësitë në parti ekzistojnë. Në kongres mund të dalin në sipërfaqe mllefet e anëtarësisë të ngopur nga Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Sadulla Duraku ... të ngopur nga Artan Grubi e të përzgjedhurit e tjerë, gjithmonë të deleguar si njerëz më besnikë të tij e jo si bashkëpartiakë.

Përmbajtja e raportit për zgjedhjet lokale, në kongresin e javës së ardhshme, do të kahëzojë rrugët e partisë më të madhe - strukturalisht dhe numerikisht të shqiptarëve. Ali Ahmeti nuk do të japë dorëheqje. Thotë se ka epërsi 23 mijë vota ndaj partive të tjera shqiptare. Edhe po mban fjalime në protestat kundër Speciales. Protesta në Shkup do të ketë masivitet dhe i doli zot kësaj proteste. Atu i fortë se ka përkrahjen në masë. Ka përkrahjen e Edi Ramës dhe opozitës së Kosovës.

Dorëheqje kolektive është zgjidhja më e mirë për të rimëkëmbur strukturat e goditura të partisë. Nga ana tjetër, dorëheqja e Ali Ahmetit mund të sjell shpërbërjen e partisë. Mësimi është se ideologjia dhe kauza kombëtare u konvertua në pragmatizëm e korrupsion. Blerja kohë, gjithë këto vite, me zgjidhjen e vonuar të çështjes shqiptare, e bënë të zhytur politikisht, me tendencë të ketë humbje të radhës. Thaçi dhe Sela ia kthyen shpinën. Do t’ia kthejnë edhe shumë bashkëpartiakë aktualë.