Në një periudhë kur shumë qytetarë të Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në lidhje me të drejtat e pronës, disa organizata po bëjnë hapa të rëndësishëm për të adresuar këto çështje.

Kampanja "Bëje tënden, Regjistroje pronën" ka sjellë një mundësi për të pasur një diskutim të gjerë për rëndësinë e regjistrimit të pronës dhe ndihmës juridike falas që ofrohet për ata që kanë nevojë.


Në episodin e radhës të podcastit për të drejtat pronësore në Telegrafi, me redaktoren Jehona Hulaj, Valbona Doli-Rizvanolli nga “Femrat Aktive të Gjakovës”, Driton Bakraçi nga “Advancing Together” dhe Dushan Radakoviq nga “ACDC”, kanë ndarë përvojat e tyre nga aktiviteti “Derë më Derë” që kanë zhvilluar në kuadër të kampanjës "Bëje tënden, Regjistroje pronën".

Valbona Doli Rizvanolli nga "Femrat Aktive të Gjakovës" / Foto: Ridvan Slivova

Valbona Doli-Rizvanolli, nga “Femrat Aktive të Gjakovës”, theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të grave mbi të drejtat e tyre pronësore. Sipas saj, statistikat tregojnë një përqindje të ulët të grave që kanë pronë në emër të tyre.

"Gratë shpesh nuk kanë pronë në emër të tyre dhe kjo u sjell vështirësi jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në fuqizimin e tyre në shoqëri. Kur gruaja është pronare e pasurisë, ajo bëhet më e pavarur dhe ka më shumë mundësi për të kontrolluar jetën e saj. Ky është synimi ynë kryesor: të nxisim gratë të regjistrojnë pronën e tyre dhe të bëhen të vetëdijshme për të drejtat që u takojnë," shprehet Doli-Rizvanolli.

Në kuadër të këtij misioni, organizata ka zbatuar aktivitete në terren dhe ka angazhuar vullnetarë për të ofruar këshilla juridike falas dhe për të informuar komunitetet mbi procedurat e regjistrimit të pronës.

"Në Gjakovë dhe Rahovec, ne kemi vizituar 450 familje, përfshirë 250 familje shqiptare dhe 200 të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ky aktivitet ka pasur sukses të jashtëzakonshëm dhe ka arritur të informojë shumë njerëz për mundësinë e regjistrimit të pronës," shton ajo.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij projekti është edhe integrimi dhe mbrojtja e të drejtave pronësore të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Driton Bakraçi nga "Advancing Together" / Foto: Ridvan Slivova

Driton Bakraçi nga “Advancing Together” ka shpjeguar se organizata e tij ka ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë për rreth 900 familje të këtyre komuniteteve, të cilët shpesh përballen me barriera të shumta administrative dhe juridike.

"Kemi vërejtur se shumica e këtyre familjeve nuk kishin informacion të mjaftueshëm për procedurat e regjistrimit të pronës dhe shpesh hasnin vështirësi në dokumentimin e pasurisë. Shumë familje kishin tokë që ishte regjistruar në emër të stërgjyshërve, dhe për ta ishte e vështirë të provonin pronësinë," thekson Bakraçi.

Në përpjekje për të ndihmuar këto familje, Bakraçi tregoi se vullnetarët kanë shpërndarë materiale informative dhe kanë ofruar këshilla juridike falas për të udhëzuar ata në procedurat e nevojshme.

"Kemi pasur shumë kërkesa për ndihmë, dhe kjo është një dëshmi që ka një lëvizje pozitive nga ana e komuniteteve që po kupton rëndësinë e regjistrimit të pronës," shtoi ai.

Bakraçi theksoi se vetëm në organizatën e tyre kanë pranuar rreth 350 kërkesa për ofrimin e ndihmës juridike falas.

Një tjetër sfidë e madhe është situata pronësore në veri të Kosovës, ku shumë prona janë ende të regjistruara në emër të paraardhësve që kanë ndërruar jetë para shumë dekadash.

Dushan Radakoviq, nga “ACDC” ka theksuar se gjatë aktiviteteve të tyre në veri, ata kanë hasur në shumë vështirësi, duke përfshirë mungesën e dokumentacionit dhe procedurat gjyqësore të ndërlikuara.

Ai bëri të ditur se si organizatë kanë anketuar 600 familje në katër komunat në veri.

Dusan Radakovic nga "ACDC" / Foto: Ridvan Slivova

“Ashtu siç thashë, kemi vizituar 600 familje.Një numër i madh njerëzish kanë probleme me pronën e tyre. Aktualisht mbi 80% e pasurisë është e regjistruar në emër të burrave dhe problemi më i madh është prona e regjistruar në emër të stërgjyshërve dhe katragjyshërve. Pra, çështja e pronës në veri nuk është zgjidhur, madje në disa komuna as kadastri nuk është funksionale, si në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Vetëm kadastri në Mitrovicën e Veriut është funksionale“, tha Radakoviq, duke shtuar se ky është një problem i madh që kërkon zgjidhje urgjente.

Radakoviq shtoi se situata politike në veri ka ndikim të madh, dhe ndihma juridike falas ka qenë një mundësi e vlefshme për ata që janë të përfshirë në këtë proces të ndërlikuar.

"Të gjitha këto probleme duhet të zgjidhen, dhe ne po punojmë që ky projekt të vijojë edhe në vitet që vijnë. Vetëm me një angazhim afatgjatë mund të sigurojmë që të drejtat pronësore të bëhen të qarta dhe të ligjshme," shtoi ai.

Në përpjekjet për të zgjidhur çështjet pronësore dhe trashëgimore, është e qartë se ky është një proces kompleks. Megjithatë, angazhimi i organizatave si "Femrat Aktive të Gjakovës", "Advancing Together" dhe "ACDC" ka krijuar mundësi reale për të adresuar këto sfida.

Sipas drejtuesve të këtyre organizatave "qëllimi kryesor është të sigurojnë që të gjithë, pa dallim, të kenë mundësi të regjistrojnë pronën e tyre dhe të kenë sigurinë e pronësisë të ligjshme."/Telegrafi/

Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.