Nga: Christian Schwarz-Schilling
Në fund të korrikut na befasoi lajmi, se Ministria e Arsimit të Republikls Srpska ka nxjerrë një informacion se synohet të botohen libra të rinj historie për klasat e larta në shkolla, të cilat duhet të trajtojnë vitet e luftës 1992-95. Kjo periudhë në materialet e deritanishme të mësimdhënies është trajtuar në mënyrë sporadike dhe duke iu referuar fare pak fakteve. Ndaj, një konceptim i ri është i nevojshëm. Për këtë është parashikuar bashkëpunimi për librat shkollorë mes Instituteve Pedagogjike të Republikës Srpska dhe Serbisë.
Ky njoftim është mjaft interesant, sepse nuk kemi të bëjmë me një komision për librat shkollorë midis dy shteteve dikur të armiqësuara, sikurse ndodhi pas Luftës së Dytë Botërore mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Francës. Qëllimi i këtij komisioni të përbashkët gjermano-francez ishte që të zbardhej armiqësia shekullore mes Gjermanisë dhe Francës dhe përmes përshkrimit të së vërtetës të mundësohej pajtimi dhe njohja e kësaj të vërtete të pranuar nga të dyja palët.
Rezultati i Komisionit të librave shkollorë ishte konsolidimi i së ardhmes së përbashkët paqësore dhe një bashkëpunim mes nxënësve dhe mësuesve në të dyja vendet. Kjo u zhvillua në kontekstin politik të Marrëveshjes së posaqme gjermano-franceze të Miqësisë të nënshkruar nga kancelari Konrad Adenauer dhe presidenti francez Charles de Gaulle më 22 janar 1963. Jubileut të 25-vjetorit të kësaj marrëveshjeje më 1988, unë si ministër i Postës që isha atëherë, i kushtova një pullë speciale postare. Konceptimi i kësaj pulle poste u realizua në qytetin tim Budingen mes meje dhe ministrit francez të Postës dhe Telekomunikacionit. U krijua një organizatë rinie gjermano-franceze, vlera e së cilës pikërisht tani në një kohë të riaktivizimit të tendencave nacionaliste është edhe më e rëndësishëm dhe është riaktivizuar.
Ky shembull i mirë i forcimit të marrëdhënieve gjermano-franceze ҁoi në përpjekjet e mëtejshme të përbashkëta për krijimin edhe të një komisioni gjermano-polak për librat shkollorë. Kjo u arrit me nismën veçanërisht të ipeshkëve katolikë të të dyja vendeve. Detyra për të treguar të vërtetën historike të luftimeve mes dy kombeve ishte edhe më e vështirë në rastin gjermano-polak. Aktet e tmerrshme të Gjermanisë gjatë kohës së nazizmit dhe të Luftës së Dytë Botërore, etja për asgjësim ndaj Polonisë dhe vrasjet masive në kampet e përqendrimit të ngritura në Poloni, ishte realiteti i zymtë që e bënte pothuajse një detyrë mbinjerëzore për ekspertët gjermanë e polakë punën në komisionin e librave shkollorë. Por, përmes sinqeritetit të pjesëmarrësve në kërkim të së vërtetës historike këto përpjekje u kurorëzuan me një rezultat konstruktiv. Me rastin e 75-vjetorit të Kryengritjes së Varshavës, ministri i Jashtëm gjerman, pikërisht më 1 gusht vizitoi Varshavën për të artikuluar kundrejt Polonisë turpin e thellë të Gjermanisë për këtë ngjarje.
Pas këtyre dy shembujve të partneritetit të suksesshëm shtrohet pyetja, se ҁ’detyrë ka ky komision i ri i Republikës Srpska dhe Serbisë? Sepse këtu kemi të bëjmë me një situatë krejt tjetër historike. Nuk kemi dy ish-shtete armike që po bashkëpunojnë tani, por dy shtete që në kohën e diktaturës, agresionit dhe gjenocidit kanë qëndruar në të njëjtën anë.
Në deklarimin e autoritetit shkollor të Republikës Srpskas nuk përbën objekt paraqitja e së vërtetës, por adaptimi jo kritik i teksteve shkollore serbe prej autoriteteve të entitetit të Bosnjë-Hercegovinës. Meqënëse të dy të prekurit prej luftës – kroatët dhe boshnjakët – nuk marrin pjesë në këtë komision, duhet që anëtarët e komisionit të futen në rolin e popullsisë tjetër të prekur, për t’iu afruar së vërtetës – por a mund ta bëjnë ata këtë? E si e përfytyron autoriteti shkollor nga Serbia mënyrën e veprimit, kur elita e saj politike ende sot nuk e konsideron të udhës që ta pranojnë bashkëpërgjegjësinë ose përgjegjësinë e vet? Si do të trajtohet mohimi i gjenocidit në Srebrenicë nga komisioni, kur presidenti i njohur i Republika Srpska dhe njëherësh anëtar i presidiumit tresh të Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, është njëri prej atyre që e mohojnë këtë gjenocid?
Konkluzioni im është: Ose ky komision i librave shkollorë do të përballojë një detyrë herkuliane për gjetjen e së vërtetës dhe ai është i pajisur me një guxim mbinjerëzor, që këtë të vërtetë ta paraqesë edhe në librat shkollorë – ose rezultati do të jetë edhe një hap i mëtejshëm tek propaganda shtetërore dhe kufizimi i pluralizmit të mendimit. Ndaj, a nuk do të ishte më e udhës, që shtetet e prekura fqinjë, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Mali i Zi të merrnin pjesë në këtë komision, për të dhënë një kontribut të përbashkët për zbardhjen historike? Me këtë vërtetë do të vendosej një gur themeltar për një të ardhme paqësore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbetet interasant të mësohet se si do të vendosë komisioni i librave shkollorë.
Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste ndaj qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjës, ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE-së për Bosnje-Hercegovinën.