LAJMI I FUNDIT:

Për nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Horizon School organizoi një program kulturor e artistik, i realizuar me përkushtim nga nxënësit dhe stafi i shkollës

Për nder të 17 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Horizon School organizoi një program kulturor e artistik, i realizuar me përkushtim nga nxënësit dhe stafi i shkollës

Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një moment historik, por një dëshmi e sakrificave, guximit dhe përpjekjeve të vazhdueshme për liri.

Në nder të kësaj dite të madhe, Horizon School organizoi një program të veçantë, i cili solli një përjetim të paharrueshëm për nxënësit, prindërit dhe të gjithë të pranishmit.

Aktiviteti u hap me një interpretim emocionues të Himnit të Kosovës, ku kori i shkollës, i shoqëruar nga tingujt e violinës dhe kitarës, krijoi një atmosferë magjike. Më pas, Kryetari i Bordit të Shkollës, Prof. Dr. Besim Beqaj, foli mbi rolin e edukimit në formimin e gjeneratave të reja dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave kombëtare.

Drama “Rajonet e Kosovës”, e interpretuar nga nxënësit, përcolli një mesazh të fuqishëm mbi historinë dhe kulturën e trevave tona, duke vënë në pah identitetin dhe traditat që na karakterizojnë.

Vallja “Baresha”, u interpretua nga nxënëset, duke sjellë në skenë një pjesë të bukurisë së folklorit shqiptar. Recitali emocional “17 Shkurti” përshkroi fuqishëm sakrificat që sollën ditën e sotme. Instrumentali “Mora fjalë” u soll në një formë të veçantë përmes tingujve të çiftelisë dhe baterive, duke rikthyer emocionet e muzikës tradicionale.


“Unë jam shqipe nga Kosova”, e kënduar nga nxënësit më të vegjël, përcolli energjinë dhe dashurinë për atdheun, duke simbolizuar brezin që do ta çojë përpara këtë vend.

“Historia e vonshme e shtetit të Kosovës”, një dramë e interpretuar me pasion, rikujtoi sfidat dhe rrugën e gjatë drejt pavarësisë. “Rrjedhë në këngë e ligjërime”, e shoqëruar nga kori i shkollës, solli një moment artistik të veçantë që emocionoi çdo të pranishëm.

Ekspozita me punime artistike, të krijuara nga nxënësit, pasqyroi kreativitetin dhe ndjenjat e tyre për shënimin e kësaj dite madhështore.

Ky program solli një pasqyrë të thellë të dashurisë dhe nderimit për atdheun, duke i përjetësuar vlerat dhe momentet historike që do të mbeten gjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Kosovës.