LAJMI I FUNDIT:

Për 9 muaj 123 milionë euro borxh më shumë

Për 9 muaj 123 milionë euro borxh më shumë

Nga të dhënat për Borxhin e Përgjithshëm të Kosovës të publikuara nga Ministria e Financave (MF), deri në shtator 2016 Borxhi Publik arriti në 842.06 milionë euro. Në shtatorin e 2015-së ai ishte 719.48 milionë euro.

Ky borxh në nëntë muajt e parë të 2016-së arriti në 14.27 për qind të Produktit të Brendshëm Bruro (PBB), ndërsa në shtator të 2015-së vlerësohej në 12.47 për qind të PBB-së, shkruan Gazeta Ekonomia.


Kosova në bazë të të dhënave të MF-së ka më shumë borxh të brendshëm se ndërkombëtar. Borxhi ndaj organizatave ndërkombëtare është 368.44 milionë euro, ose 6.10 për qind e PBB-së.

Borxhi i brendshëm arrin vlerën e 473.62 milionë eurove, ose 7.84 për qind të Produktit të Brendshëm Bruro.

Më së shumti borxh ndërkombëtar Kosova i ka Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh) në shumën prej 169.65 milionë euro, ndërsa pas saj i detyrohet edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vlerën e 123.98 milionë eurove.

Borxhi i brendshëm publik deri në tremujorin e tretë të vitit 2016 kryesisht përbëhet nga stoku i borxhit me vlerë prej 473.62 milionë euro dhe pjesa e tjetër nga emetimet e reja të letrave me vlerë në shumën prej 35.62 milionë euro.

Stoku i borxhit paraqet borxhin e jashtëm dhe të brendshëm që ende nuk është shlyer.

Edhe pse borxhi i Kosovës është rritur për 122.58 milionë euro në nëntë muajt e parë të 2016-së, niveli i Borxhit të Përgjithshëm e bën Kosovën vendin me shkallën më të ulët të borxhit publik në rajon.

Mesatarja e këtij borxhi në vendet e Evropës Juglindore për vitin 2016 është 56.9 për qind e Produktit të Brendshëm Bruro, përderisa Kosova ka borxh në vlerën e 14.27 të PBB-së.

Gjatë 2016-së Borxhi Publik në vendet e rajonit në krahasim me Produktit të Brendshëm Bruto u rrit në vlerën e mbi 2.5 për qind, ndërsa në Kosovë kjo rritje nuk shkoi më shumë se 1.8 për qind e PBB-së.

Banka Botërore në raportin e saj të fundit thotë se Borxhi Publik i Kosovës është ende i vogël, por po shënon rritje të shpejtë.

Sipas Ligjit për Borxhet Publike, në asnjë rast shuma e papaguar e Borxhit të Përgjithshëm nuk duhet të tejkalojë 40 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Borxhi publik i Kosovës përbëhet nga borxhi shtetëror, borxhi i nënhuazuar dhe garancitë. Kosova ende nuk ka borxh komunal. /Gazeta Ekonomia/Telegrafi/