Pensionistët që jetojnë jashtë po e dëmtojnë miliona euro buxhetin

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka bërë me dije se dëmi që i bëhet buxhetit të Kosovës brenda një viti nga keqpërdoruesit e pensioneve arrin në disa miliona.
Ai ka treguar se ky keqpërdorim do të ndalet shumë shpejt me miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Abrashi ka thënë se keqpërdorimin më të madh janë duke e bërë personat që jetojnë jashtë vendit, por janë të paraqitur si banorë të përhershëm të Kosovës.
“Jemi në dijeni që një numër i konsiderueshëm i pensionistëve jetojnë jashtë Kosovës, në anën tjetër janë të paraqitur si banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës. Dëmet që ia shkaktojnë buxhetit të Kosovës vlerësohen të jenë disa miliona euro”, ka thënë Abrashi.
Ai ka vlerësuar se nëpërmjet koncept-dokumentit të miratuar në Qeveri javën e kaluar, i cili parasheh edhe ndryshime ligjore, do të caktohen kritere të reja në skemat që kanë të bëjnë me vendbanimin e përhershëm, parandalimin e keqpërdorimeve të pensioneve dhe disa çështjeve të tjera administrative.
“Përmes këtyre ndryshimeve do të caktohen kritere shtesë. Për sa i përket paraqitjes së vendbanimit, do të caktohen vizita më të shpeshta në adresat e paraqitura nga pensionistët. Në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse do të përforcohen mekanizmat kontrollues sa i përket paraqitjes së rasteve të vdekjeve dhe ndryshime të tjera të cilat do të ndërlidhen me parandalimin e keqpërdorimeve të pensioneve”, është shprehur ai.
Sipas ministrit Abrashi, këto ndryshme ligjore do të bëhen brenda disa muajve. “Me ndryshimet ligjore të cilat do të aprovohen nga Kuvendi i Kosovës, do të bëhet më lehtë identifikimi i personave të cilët nuk jetojnë në Kosovë dhe që nga ai çast do t’u ndërpritet pensioni. Praktikat e deritanishme tregojnë se na duhen disa muaj derisa projektligji t’i kalojë procedurat dhe të hyjë në fuqi”, ka thënë Abrashi.
Ai ka treguar se kohët e fundit edhe vetëdija e qytetarëve është rritur sa i përket paraqitjes së vdekjeve të pensionistëve. /Telegrafi/




















































