Pence telefonon Kamala Harris, ia uron fitoren në zgjedhje

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka telefonuar pasardhësin e tij Kamala Harris për të uruar për fitoren në zgjedhje, sipas dy njerëzve të njohur me bisedën.
Ky, sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, është edhe kontakti i parë i njohur midis anëtarëve të zgjedhur të administratave që po largohen dhe atyre që po vijnë në detyrë.
Ndryshe, presidenti Donald Trump nuk e ka kontaktuar presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe në vend të kësaj ka kaluar javë - pasi humbi zgjedhjet e 3 nëntorit - duke u përpjekur të minojë legjitimitetin e fitores së Biden me pretendime për mashtrim masiv të votuesve që arritën kulmin në sulmet e dhunshme të ndërtesës së Kapitolit javën e kaluar.
Sipas AP, Pence, është bërë një mbrojtës i papritur - megjithëse i vonë - i fitores së Biden.
Ai madje i rezistoi presionit të madh nga Trump për t'u përpjekur të ndërhynte në certifikimin e Kongresit për numërimin e votave të Kolegjit Zgjedhor javën e kaluar - edhe pse ai nuk ka një fuqi të tillë.
Dhe ai ka njoftuar se do të marrë pjesë në inaugurimin e Biden në 20 janar, gjë që Trump po refuzon ta bëjë.
Siç bëhet e ditur, Pence dhe Harris folën të enjten pasdite dhe patën një "telefonatë të mirë", sipas një prej njerëzve të njohur me bisedën, me Pence që e uronte Harrisin dhe i ofronte ndihmën e tij.
Telefonata vjen më pak se një javë para se Biden dhe Harris të merrnin detyrën dhe pak më shumë se një javë pasi mbështetësit e Trump sulmuan me dhunë Kapitolin dhe u përpoqën të ndalonin tranzicionin paqësor të pushtetit. /Telegrafi/
















































