Site icon Telegrafi

Pelegrinazhi i madh bektashian: Abaz Aliu dhe Mali i Tomorrit

Data 20 gusht shënon nisjen e pelegrinazhit drejt malit të Tomorrit, një mal i konsideruar “i shenjtë”, pasi në të thuhet se prehet shenjtori i familjes së Profetit Muhamed, Abaz Aliu.

Sipas gojëdhënave, thuhet se Abaz Aliu, nga Arabia, së bashku me vëllain e tij të vogël, u vendosën në Berat, duke u bërë mbrojtës të nahijes. I vëllai mbronte qytetin e Beratit, ndërsa Abaz Aliu u vendos në Tomorr, për të mbrojtur gjithë fiset dhe krahinat e Tomorit. Ditën e 25 gushtit, shpirti i tij vjen nga Olimpi dhe kthehet përsëri për të çliruar viset e Beratit nga gjithë të këqijat.

Gjurma e Abaz Aliut lidhet me legjendën se si ka ardhur në Tomorr. Përjetësimi i figurës së tij në Skrapar është i madh, sa gjurmët e tij dhe të kalit janë në “Dërrasën e Kajcës”, në kufi me Përmetin; në “Taroninë” të Çepanit; në “Shkëmbin e Kanionit të Osumit” të Dhoresit; Gjurma e dorës së tij në afërsi të Bargullasit; në “Dërrasën e Novajt” dhe “Vendi i shenjtë” në veri të Tomorit (mbi Dardhë të Beratit) dhe “Çuka e Tomorit”, te varri i tij kenotaf. Këto vende vizitohen nga besimtarët gjatë gjithë vitit, sidomos në ditët 20-25 gusht. Abaz Aliu thuhet se ishte në fluturimin e tij mitik drejt malit të Tomorrit ku vajti dhe qëndroi për jetë të jetëve. Ai luftëtar që ra për lirinë, erdhi dhe gjeti prehje tek mali shqiptar.

Vendi më i rëndësishëm botëror i pelegrinazhit bektashian, Tyrbja e Abaz Aliut, ndodhet larg nga Teqeja e Kulmakut, dy orë në këmbë ose 40 minuta me makinë, në lartësinë 2417 metra mbi nivelin e detit, në Çukën e Tomorit. Nga burimet historike jepen të dhëna si një vend besimi nga lashtësia.

Ritet përfshijnë ndezjen e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimin e të hollave pranë objekteve të kultit, flijimin e një deleje apo qengji dhe ndarjen e ushqimit midis besimtarëve. /Telegrafi/

Exit mobile version