LAJMI I FUNDIT:

PD depoziton në Kuvendin e Shqipërisë rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë

PD depoziton në Kuvendin e Shqipërisë rezolutë për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë
Foto: Arkiv

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projekt-rezolutë për dënimin e masakrës dhe gjenocidit serb në Kosovë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj mësohet se ka dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë këtë rezolutë e cila është premtuar më herët nga PD.

Rezoluta e thekson dhe përdor termin “gjenocid” për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës.


Ajo bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998.

Rezoluta i referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave (shoqëruar me konfiskimin e dokumenteve të identitetit, automjeteve apo çdo lloji tjetër me qëllim shkatërrimin e dëshmive për identitetin dhe përkatësinë e tyre shtetërore), vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1,392 fëmijë dhe 1,739 gra.

Gjithashtu, në bazën e saj janë 100 masakrat kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, kryesisht shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihen djegien e gjallë në prani të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 shkurti deri në 1 mars 1998 pati 24 viktima civile.

Dokumenti i plotë:

PROJEKT-REZOLUTË

MBI PËR GJENOCIDIN SERB TË KRYER NË KOSOVË

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë :

Duke mbajtur në konsideratë rëndësinë madhore të shtetit të Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit dhe në mbështetje e referuar dokumenteve ndërkombëtare, si vijon:

Kartës së Kombeve të Bashkuara, 24 tetor 1945;
Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB, 10 dhjetor 1948;
Deklaratës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Rezolutën 96 (I), 11 dhjetor 1946, që gjenocidin e kualifikon krim sipas të drejtës ndërkombëtare;
Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, 9 dhjetor 1948;
Konventave të Gjenevës të vitit 1949, sidomos Konventës së IV për Mbrojtjen e Personave Civil në Kohë Lufte, si dhe Protokollet Shtesë I dhe II të 1977;
Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, 16 dhjetor 1966;
Statusit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, 17 korrik 1998, për dënimin e krimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës;
Konventës së OKB-së për Moszbatimin e Kufizimeve Ligjore për Krimet e Luftës dhe Krimet kundër Njerëzimit, 26 nëntor 1968, pa marrë parasysh kohën e kryerjes së tyre;
Rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: A/HRC/RES 37/26, 23 mars 2018, A/HRC/RES 7/25, 28 mars 2008, A/HRC/RES 22/22, 22 mars 2013, A/HRC/RES 28/34, 27 mars 2015, për parandalimin e krimit të gjenocidit, që kërkojnë intensifikimin e përpjekjeve institucionale shtetërore, sidomos në sistemin e drejtësisë, për identifikimin, ndjekjen dhe gjykimin e veprimeve që mund të shpien drejt krimit të gjenocidit.

Në vijim të rezolutave dhe deklaratave në seanca të jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë:

Rezolutës së 17 prillit 1998 të Kuvendit të Shqipërisë, me atë të së cilës dënohej represioni dhe dhuna e forcave ushtarake e policore serbe kundër shqiptarëve të Kosovës;

Rezolutës së 6 tetorit 1998 të Kuvendit të Shqipërisë, me atë të së cilës dënohej lufta etnike e Millosheviçit në Kosovë;

Rezolutës së 24 dhjetorit 1998 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën theksohej në mënyrë eksplicite se “e vetmja rrugë për ndaljen e gjenocidit, spastrimit të egër etnik dhe përhapjes së konfliktit në rajon, mbetet ndërhyrja e trupave të NATO-s në Kosovë”;

Rezolutës së 28 dhjetor 1998 të Kuvendit të Shqipërisë, ku mes të tjerave thuhej se “Autoritetet e Beogradit vijojnë zbatimin e metodave të hapura brutale të spastrimit etnik, duke konfirmuar politikën e mohimit të plotë e sistematik të të drejtave kombëtare themelore e njerëzore të shqiptarëve të Kosovës”;

Deklaratës së 18 janarit 1999 të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën dënohet masakra e Reçakut, e cila tronditi botën si dhe krimet e tjera të Millosheviçit;

Deklaratës së 4 marsit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën kërkohet ndërhyrja e menjëhershme e NATO-s për të goditur makinerinë ushtarake të Millosheviçit;

Deklaratave të 23 dhe 25 marsit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilat dënohen me forcë masakrat dhe krimet e reja të Millosheviçit ndaj shqiptarëve në Kosovë;

Seancave të jashtëzakonshme të 7, 14, 19 dhe 22 prillit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilat denoncohet dëbimi i shqiptarëve nga trojet e tyre;

Rezolutës së 12 majit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën dënohen ashpër krimet monstruoze të regjimit të Milosheviçit dhe ku theksohet se “regjimi i Milosheviçit po vazhdon me egërsinë më të madhe fushatën e spastrimit etnik, të shoqëruar me masakra të papara, ndaj popullsisë civile të pafajshme dhe të pambrojtur. Pothuajse e gjithë popullsia shqiptare e Kosovës është dëbuar nga vatrat e saj, duke u endur pyjeve, ndërsa një pjesë e konsiderueshme jashtë kufijve të Kosovës”;

Deklaratës së 10 qershorit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën përshëndetet kapitullimi i Serbisë dhe dënohen krimet gjatë tërheqjes nga Kosova;

Deklaratës së 26 qershorit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën dënohen masakrat e Millosheviçit;

Rezolutës së 24 dhjetorit 1999 të Kuvendit të Shqipërisë, në të cilën kërkon rikthimin e kosovarëve në vatrat e tyre, ndërsa dënon edhe një herë krimet serbe në Kosovë;

Deklaratës së 23 tetorit 2000, Kuvendi miraton një tjetër deklaratë, në të cilën kërkohet nxjerrja e Millosheviçit dhe kriminelëve tjerë të akuzuar për krime kundër njerëzimit para Gjykatës së Hagës, si dhe i kërkon Serbisë të kërkojë falje për gjenocidin;

Seancës së jashtëzakonshme të 1 shkurtit 2001, në të cilën Kuvendi i Shqipërisë i kërkon sërish Serbisë të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë si dhe të japë shpjegime për 3400 shqiptarë të humbur pa gjurmë.

Duke konnsideruar edhe raportet, deklaratat, rekomandimet apo rezolutat e organizatave ndërkombëtare, të cituara edhe në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, Nr. 017, dt. 16 maj 2019, si:

Raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve;

Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së A/53/556, dt. 30.10.1998, S/1998/912, dt. 3 tetor1998, S/1999/293, dt. 17 mars 1999, për vrasjen e mijëra civilëve shqiptarë, kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar, për dëbimin e rreth 1 milion shqiptarëve nga shtëpitë dhe vendbanimet e tyre dhe shkatërrimin, dëmtimin apo djegien e rreth 900 shkollave;

Deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, E/CN.4/1999/SR.19, dt. 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnik, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”;

Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1168, dt. 31 mars 1998, 1999, dt. 23 shtator 1998, 1203, dt. 24 tetor 1998, 1239, dt. 14 maj 1999 dhe 1244, 10 qershor 1999, në lidhje me krimet e kryera në Kosovë nga forcat ushtarake të RFJ-së, dhe gjendjen e rëndë humanitare të refugjatëve shqiptarë brenda Kosovës dhe në vendet fqinje;

Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së S/RES/1820, dt. 19 qershor 2008, që thekson se “përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale mund të përbëjnë krim lufte, krim kundër njerëzimit, apo dhe akt konstituiv të gjenocidit”, dhe kërkon përjashtimin e dhunës seksuale nga dispozitat për amnisti në kontekstin e proceseve për zgjidhjen e konflikteve;

Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së S/REC/2467, dt. 23 prill 2019, për përgjegjësinë e shteteve për t’i dhënë fund mosndëshkimit dhe ndjekjes penale përgjegjësve për krime të gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, të kryera kundër civilëve, duke theksuar shqetësimin se vetëm një numër i kufizuar i autorëve të dhunës seksuale sillen para drejtësisë;

Rezolutën 47/21 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 18 dhjetor 1992, në të cilën theksohet qartë se dëbimi masiv nga shtëpitë e veta të civilëve të pambrojtur dhe zbatimi i politikës së spastrimit etnik është një formë gjenocidi;

Deklaratën dhe Planin Aksional të Konferencës Botërore të të Drejtave të Njeriut të organizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Vjenë, dt. 25 qershor 1993, sidomos paragrafi 28, që thekson se praktika e shkeljeve masive të të drejtave të njeriut në formatin e gjenocidit, “spastrimit etnik” dhe përdhunimit sistematik të grave në situata lufte, si dhe eksodi masiv i njerëzve nga vendbanimet dhe vendi i tyre, janë të pafalshme dhe të dënueshme në çdo kohë;

Rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës 1403, dt. 28 prill 1999, si dhe Rezolutën 1182, dt. 30 mars 1999, për krizën e refugjatëve brenda në Kosovë dhe nga Kosova në vendet fqinje, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, për rrezikun e refugjatëve të rrezikuar nga vrasjet dhe vdekja.

Duke iu referuar edhe fakteve tashmë të njohura botërisht:

Mbi krimet e kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave (shoqëruar me konfiskimin e dokumenteve të identitetit, automjeteve apo çdo lloji tjetër me qëllim shkatërrimin e dëshmive për identitetin dhe përkatësinë e tyre shtetërore), vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1392 fëmijë dhe 1739 gra;

Mbi rreth 100 masakrave kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, kryesisht shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihehn djegien e gjallë në prani të të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 Shkurti deri në 1 Mars 1998 pati 24 viktima civile;

Mbi dhunën seksuale të ushtruar ndaj 20 mijë personave, kryesisht gra e vajza shqiptare, të cilat kanë përjetuar vuajtje të mëdha, trauma të rënda dhe plagë psikologjike;

Mbi dëbimin e dhunshëm të mbi 1 milion qytetarëve të të gjitha etnive duke u përpjekur dhe në zhdukjen e identitetit të tyre përmes sekuestrimit të çdo mjeti identifikues nga ana e forcave të RFJ;

Mbi përjetimin e trajtimeve çnjerëzore nëpër burgjet e Serbisë dhe gjetjes së varrezave masive anembanë Serbisë me kufoma civilësh shqiptarë të masakruar, të varrosur dhe zhvarrosur me qëllim humbjen e gjurmëve të krimit;

Mbi fshehjen e së vërtetës rreth fatit të 1600 personave, që vazhdojnë të mbeten të zhdukur me forcë;

Mbi qëllimin për shkatërrimin e bazës ekonomikë dhe kujtesës historike, çka rezultoi me shkatërrimin e 100.389 objekteve të banimit, 358 ndërtesave shkollore, 215 objekteve fetare, 123 objekteve shëndetësore dhe mbi 190 shtëpi kulture, biblioteka etj.;

Duke rikujtuar se në 15 janar 1999 forcat serbe kryen aktin genocidial në Reçak, gjatë të cilit u masakruan 42 civilë shqiptarë. Një akt që mobilizoi gjithë komunitetin ndërkombëtar për t’i dhënë fund politikës së genocidit në Kosovë dhe nga i cili lindi nevoja për të organizuar Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë;

Duke rikujtuar që regjimi serb e refuzoi zgjidhjen e paqshme dhe vazhdoi të ndërmerrte sulme të tjera kundër shqiptarëve në Kosovë;

Duke gjykuar se rajoni i Ballkanit mundet të arrijë paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë vetëm nëpërmjet ndryshimit të botëkuptimeve, vetëm nëpërmjet ndërtimit dhe promovimit të një rendi politik e institucional i cili ka themel pranimin e të ndryshmes dhe dënimin e padrejtësisë;

Duke gjykuar se gjuha politike është themelore dhe kur politikanët e shtetet nuk i mbrojnë por i dënojnë padrejtësitë historike, çlirohen ngarkesat emocionale të cilat kanë lindur prej ngjarjeve të historisë, jepet kontribut për paqe e vllazërim midis popujve dhe komuniteteve;

Duke gjykuar se masakra edhe dhuna e ushtruar në Kosovë është akti kulmor dramatik i botëkuptimit dhe i politikës së ndjekur nga nacionalizmi shovenist;

Duke rikujtuar që sot ende asnjë zyrtar serb nuk ka kërkuar ndjesë për krimet e kryera në Kosovë ndaj etnive jo serbe ku më së shumti ka pasur shqiptarë.

Kuvendi i Shqipërisë kërkon nga shteti i Serbisë:

Pranimin nga Serbia se ajo në kundërshti me Konventat ndërkombëtare, përfshirë Konventen për Parandalimin e Dënimit të Krimeve e Genocidit, miratuar në 9 dhjetor 1948 ka kryer krime lufte dhe kundër njerëzimit si dhe genocid në Kosovë gjatë periudhës kohore 1998-1999.

Kërkon nga ana e Serbisë që të zbardhë fatin e atyre që konsiderohen të zhdukur apo të pagjetur si dhe të dërgojë përpara drejtësisë autorët e këtyre akteve mizore dhe jo humane.

Kërkon nga Serbia që të paguajë dëmet e genocidit, krimeve kundër njerëzit dhe akteve të tjera të luftës që ende mund të riparohen ndaj shtetit të Kosovës.

Kërkon nga Serbia që të rreshtë së provokuari shtetin e Kosovës përmes insinuatava ligjëruese dhe jo vetëm karshi territorit të Kosovës si një shenjë pendimi ndaj akteve genocidiale të kryera për periudhën kohore 1998-1999.

Duke gjykuar se mohimi i genocidit të Kosovës dhe çfarëdolloj relativizimi i tij i shërben politikës agresive të bazuar tek etnia, feja apo rraca dhe përjashtimi dhe jo politikës së vërtetë të bazuar tek ekonomia, punësimi, drejtësia siguria dhe paqja sociale për të gjithë pa dallime.

Duke gjykuar se çdo refuzim për ta dënuar genocidin e Kosovës, ushqen nacionalizmin shovenist dhe e forcon atë si mjet të identifikuar tashmë si rrezik destabiliteti, përçarjeje, konflikti, tensioni dhe shkaktar të luftërave.

Kuvendi i Shqipërisë:

Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore shqiptare që të angazhohen në mënyrë maksimale për të evidentuar dhe kërkuar zbardhjen e plotë e asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe sigurimin e përkrahjes politike dhe jo vetëm për qeverinë e Kosovës në përpjekjen e saj për të zbardhur ngarjet.

Bazuar në Rezolutën për Genocidin e kryer serb në Kosovë miratuar nga Kuvendi Kosovës në 16 maj 2019 angazhohet të përcaktojë datën 15 janar si Ditën e përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë.

Miraton e këtë rezolute, si mesazh për të sotmen dhe për të ardhmen, kundër nacionalizmit shovenist, në favor të një rendi konstitucional i cili sundon përmes përfshirjes dhe bashkimit. /Telegrafi/