LAJMI I FUNDIT:

Pavarësia vs. plazma

Në Shkurt të 2003, SHBA-të ishin në fazën përfundimtare të përgatitjeve për të invaduar Irakun. Mirëpo, ata kishin nevojë që fushata e tyre ushtarake të mbështetej edhe nga aleatët e saj tradicional Evropian.

Por, për habinë e tyre evropianët, jo vetëm që refuzuan nismën, por ata filluan haptas të kundërshtojnë një veprim ushtarak. Telashet amerikane nuk përfunduan me kaq! Edhe pse në fillim kishte karakter simbolik, evropianët në mënyrë spontane filluan të bojkotojnë prodhimet [ndërmarrjet] amerikane.

Në shumicën e restoranteve në Gjermani dhe Francë, filloj bojkoti i prodhimeve amerikane. Në menytë e tyre nuk figuronin më prodhimet më me nam, si Coca-Cola, Budweiser, Whiesky. Gjersa, disa subjekte shkuan edhe më larg, filluan të mos pranojnë kartat kreditore ‘American Express.’ Dhe e tërë kjo kishte të bënte me një krizë, e cila nuk kishte lidhje direkte me Evropën. Në ndërkohë, edhe në anën tjetër te oqeanit, filloj bojkoti i mallrave me origjinë evropiane, kryesisht franceze dhe gjermane.


Bojkoti i prodhimeve amerikane filloj të marr përmasa botërore. Përfaqësuesit e këtyre nismave në agjendën e tyre kishin vetëm dy qëllime: I pari, kishte të bënte me mbështetjen e qeverive të tyre, të cilat përballeshin me një presion të fuqishëm amerikan; I dyti, t’i dërgohej një porosi e qartë administratës amerikane se kësaj radhe ajo nuk ishte bindëse, argument ky që më vonë u pranua edhe nga vetë kryetari Bush.

Ne vitin 2005, një revistë financiare amerikane (U.S. Banker) bazuar në një hulumtim të ‘Edelman Trust Barometer’, i cili u realizua me shtresat e pasura të shoqërive më të zhvilluar në botë. Konstatoj se 41 për qind e elitës kanadeze janë më pak të motivuar të blejnë prodhime amerikane, për shkak të politikave të administratës së presidentit Bush. Gjersa, në vendet si Britania e Madhe gatishmëria për të mos konsumuar prodhime amerikane ishte edhe më e lartë [56%], në Francë 61%, Gjemani 42%, dhe Brazil 42%.

Nëse shoqëritë e shteteve më të zhvilluara, përfshirë këtu edhe aleat më të afërt të SHBA-së (Britania dhe Gjermania), iniciuan nisma simbolike, të cilat as tërthorazi nuk kanë të bëjnë interesat e tyre kombëtare.

Përse shoqëria kosovare nuk mundet të dal nga ‘tripi’ i kosomopolitanizmit fiktiv, dhe njëherë e mirë të bëjë një hapë të guximshëm, ti thotë JO prodhimeve serbe. Ti thotë JO Plazma-së, e cila për shumicën e kosovarëve është me e rëndësishme se flamuri i saj shtetëror!

Ne fund të vitit, arka shtetërore Serbisë do të pasurohet për hiq më pak se 350 milionë euro, të realizuara në tregu kosovar. Ndërsa, kësaj shume mund ti shtojmë edhe së paku 80 – 100 milionë euro nga kontrabanda ilegale, të cilën kompanitë e saja e realizojnë me ‘partneret’ e tyre kosovar. Sipas vlerësimeve të doganës, arka e shtetit tonë çdo javë humb rreth 1.5 milionë euro.

Ndërsa, edhe ato pak mallra të cilat Kosova arrinë t’i prodhoj, Serbia jo vetëm që nuk i lejon në tregun e saj, por as të kalojnë transit. Këtu nuk duhet harruar edhe Maqedoninë, e cila po ashtu Kosovën e ka një ndër tregjet me fitimprurëse, por njësoj sikur se fqinji i parë pengon eksportet dhe transitin e mallrave kosovare.

Javën që e lëmë pas, folklorit tonë ditorë për here të parë, ju shtua një ‘rrymë’ e re, ajo ekonomike. Është fjala për propozimet e dy ministrave të cilët mbajnë resorë ekonomik, të cilët u zotuan publikisht për zbatimin e masave te reciprocitetit ndaj fqinjit tonë verior. Sipas të gjitha gjasave, që të dy tash më janë kontaktuar nga ‘Zyrat’ e huaja, me rekomandimet të cilat vetëm për ne kosovaret janë të detyrueshme [e njëjta gjë ndodhë edhe me FMN]! Mirëpo, kësaj radhe disi kam shpresë se kjo iniciativë do të mbështet edhe nga shoqëria jonë.

Në radhë të parë nga përfaqësuesit e biznesit, të cilët deri më tani nuk kane treguar ndonjë përgjegjësi kombëtare, nga pikëpamja ekonomike. Ndokush mund te thotë se ekonomia nuk njeh kufi, dhe se fitimi mundë çdo ndjenjë kombëtare.

Si ekonomist plotësisht pajtohem, mirëpo këtë duhet ta bëjë shteti. Përsëri, ndokush do të thotë se kjo është kundër parimeve të ekonomisë së lirë? Përkundrazi, të gjithë jemi dëshmitar se çfarë po ngjet me ekonomitë më liberale? Shteti, është rikthyer, dhe atë me i forte se kurrë!

Shteti ka për detyre që t’i edukoj bizneset e saja, ndërsa në rastin tonë ai duhet të shkoj edhe më tutje. Bashkë me bizneset, nëse nuk mund të hartoj një plan, të paktën të arrij një marrëveshje ‘gjentelmene’ për hirë të interesit kombëtar.

Në rastin tonë kjo do ishte e thjeshtë: fuqizimi i prodhimeve vendore, dhe krijimi i kanaleve të reja të furnizimit, me qëllim të evitimit të varshmërisë aktuale, gjë e cila do bënte diversifikimin e importeve, e cila sipas gjitha gjasave do të ndikonte në rritjen e punësimit. Momentalisht, Serbia dhe Maqedonia nuk përmbushin asnjë kriter sa i përket standardeve të importit.

Falë institucioneve të dobët shtetërore, si dhe mbështetjes nga ana e disa afaristëve kosovar, mallrat serbe/maqedonase shiten pa përmbushur as kushtet minimale (garancionet, servisimet, etj.), shpeshherë bartin rreziqe direkte për përdoruesit vendor (afati i skaduar/përmirësuar, prejardhja e dyshimtë, përbërja, etj). Jam më se i bindur se Shqipëria do ishte alternativa më e mirë, për shkak të afërsisë (jo vetëm fizike) dhe pozitës strategjike.

Nga pikëpamja zhvillimore blerja e prodhimeve vendore përveç freskisë (cilësisë), në të njëjtën kohë i ndihmon prodhuesve dhe ekonomisë vendor. Po ashtu ndihmon në shfrytëzimin racional të burimeve kombëtare, dhe më e rëndësishmja, kontribuon në lidhje dhe bashkërendimin e shoqërisë së një vendi.

Për më shumë, sipas studimeve të fundit, në vendet me të ardhura të ulëta mallrat vendore janë dominante në krahasim me importet, fakt ky që ndikon direkt ne rritjen ekonomike. Për fat të keq, në Kosovë po ndodhë e kundërta! Ne ende u tregojmë pasardhësve tanë se si mallrat Jugosllave janë më të mirat! Si është e mundur që Sllovenia me një territor [malor] pak me të madh se tanin, të jetë prodhuesi/eksportuesi më i madh i qumështit në regjion [sipas disave, qumështi më cilësor në treg tonë], kur pjesëmarrja e bujqësia ne krijimin e BPV është me e ultë se 10 për qind?!

Për hirë të informimit, ajo këtë e arrinë përmes të importit të qumështit pluhur, e cila pas procesimit paketohet në qumështorët e tyre! Ndërsa cilësia nuk donë asnjë koment.

Pyetja ime për kosovaret është: a thua si do të reagonin evropianet po të ishin në lëkurën tonë? A do të vazhdoni të konsumonin biskotat Plazma – Pozarevac?!