Shoqata Sindikale e KOSTT-it njofton se pas një dialogu të gjatë dhe konstruktiv me Menaxhmentin dhe Bordin e KOSTT-it, është arritur marrëveshje e rëndësishme për punëtorët e këtij institucioni.

“Pas tri protestave dhe vendimit tonë për hyrjen në grevë, arritja e kësaj marrëveshjeje tregon se dialogu dhe bashkimi i punëtorëve japin rezultat", thuhet në njoftimin e Sindikatës.


Sipas marrëveshjes, secili punëtor do të përfitojë nga 1,000 € shpërblim fundviti, ndërsa është aprovuar edhe buxheti për ngritjen e pagave që do të fillojë të zbatohet nga viti 2026, pas miratimit formal nga ZRRE.

Sindikalistët falënderojnë Menaxhmentin dhe Bordin e KOSTT-it për “mirëkuptimin e kërkesave tona të ligjshme dhe të drejta”, ndërsa "një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, dhe Avokatin Sylejman Klinaku për mbështetjen dhe kontributin profesional".

“Ky është një shembull i qartë se dialogu, uniteti dhe veprimi sindikal i vendosur japin rezultate konkrete për punëtorët”, përfundoi njoftimi. /Telegrafi/