Drejtori ekzekutiv i Ligës Premier, Richard Masters, ka lëshuar një deklaratë jashtëzakonisht të rrallë lidhur me betejën ligjore të Manchester Cityt ndaj Ligës Premier për 115 akuzat e ngritura kundër tyre. 

Liga Premier ende nuk ka dhënë një vendim për Manchester Cityn, i cili u akuzua në shkurt të vitit 2023 për shkeljen e 115 rregullave financiare të ligës. 


Rasti në fjalë përfshin një periudhë nëntëvjeçare, me shkeljen e parë të dyshuar në vitin 2009 dhe të fundit në vitin 2018. Manchester City ka mohuar të gjitha akuzat. 

Një seancë private u mbajt vitin e kaluar, por që nga ajo kohë janë dhënë shumë pak informacione në lidhje me zhvillimet. 

Detajet e plota të çështjes janë mbajtur të fshehta, me vetëm palët e përfshira drejtpërdrejt që janë në dijeni të përmasave të plota të hetimit, për shkak të rëndësisë së madhe të rastit. 

Megjithatë, për herë të parë që nga pranvera, Liga Premier ka dhënë një komunikim zyrtar mbi këtë çështje, me Masters që u shpreh të enjten. 

"Mund të pyesni, por fatkeqësisht rregullat tona janë shumë të qarta. Është një proces konfidencial”.  

"Prandaj nuk mund të jap asnjë informacion mbi kohën apo ndonjë gjë tjetër. Nuk kam asgjë më shumë për të shtuar. Më vjen keq”, ka thënë Masters. 

Kjo deklaratë vjen pasi gazeta The Independent raportoi se çështja mund të zgjasë deri të paktën në tetor, çka do të ishte një skenar problematik për Ligën Premier. 

Kjo do të sillte edhe një sezon tjetër pasigurie në lidhje me ndëshkimet e mundshme dhe ndikimin që ato mund të kenë te të gjitha klubet e ligës, veçanërisht nëse skuadra e Pep Guardiolës do të përballet me heqje pikësh./Telegrafi/

telegrafi sport app