Pas lyerjes së klasave, shkolla “Faik Konica” në kryeqytet të hënën nis procesin mësimor
Shkolla fillore “Faik Konica” në Prishtinë të hënën, më 29 janar do të fillojë procesin mësimor, pasi gjatë këtyre tri ditëve nuk është mbajtur mësimi i rregullt për shkak të lyerjes së klasave.
Të mërkurën dhe të enjten, pas përfundimit të pushimit dimëror cikli i lartë (nga klasa e gjashtë deri të nëntën) kanë mbajtur mësim me orar të shkurtuar, ndërkaq cikli i ultë nuk kanë mbajtur fare mësim.
Se të hënën do të nis procesi mësimor e konfirmoi për Telegrafin, drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruçi.
“Po, të hënën, më 29 janar 2024 rifillon procesi mësimor i rregullt. Orët e humbura do të zëvendësohen në javët në vazhdim, sipas planifikimit të shkollës”, tha Oruçi.
Mësimi i rregullt në shkollë nuk është mbajtur për të mundësuar ajrosjen më të mirë të klasave pas lyerjes dhe për t’i ikur çfarëdo mundësie që era e ngjyrës të ndikojë te fëmijët. /Telegrafi/




























