Pas 27 vitesh, familja Rushiti rikthehet në shtëpinë ku iu vranë prindërit

Pas 27 vjetësh, fëmijët e Rushit dhe Zahide Rushitit janë kthyer në banesën e prindërve të tyre në veri të Mitrovicës. Emocionet ishin të mëdha, ndërsa ata rikujtojnë tmerrin e vrasjes dhe djegies së prindërve të tyre në atë shtëpi.
Pas 27 vjetësh, fëmijët e Rushit dhe Zahide Rushitit janë kthyer në banesën e prindërve të tyre në veri të Mitrovicës.
Emocionet ishin të mëdha, ndërsa ata rikujtojnë tmerrin e vrasjes dhe djegies së prindërve të tyre në atë shtëpi.
Pas 27 vitesh, me emocione të mëdha, anëtarët e familjes Rushiti u kthyen në banesën e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës.
“Me kthimin në banesë, jeta do të vazhdojë përpara”, tha Flurim Rushiti.
Megjithatë, ky kthim ishte më shumë sesa emocional. Ata kujtojnë çastet e rënda kur morën vesh për vrasjen e prindërve të tyre.
“Trupi i babait ishte në këtë pjesë, këmbët i kishte këtu, ndërsa pjesa nga beli e lart ishte mbrapa, e mbështetur në qoshen e kauçit. Nëna, me siguri kur e pa në atë gjendje dhe u përpoq ta ndihmonte. Sa di unë, thuhet se edhe ajo është qëlluar me armë pas qafës”, rrëfen Ibadete Rushiti Mehana.
“Kur kemi telefonuar njëherë me nënën, ata e ndjenin...”, tha Ardita Rushiti.
Luljeta Rushiti Ibishi tregon emocionet në momentin kur e kuptoi për vrasjen e prindërve.
“Isha para tij dhe i thashë Florim, më trego çfarë po do me më thanë. Ai m’i vuri duart dhe tha Lule, ti e di që nuk kemi dëgjuar moti për babën dhe nanën. I thashë cilin?. Në atë moment hyri Ardita në dhomë, nusja e Flurimit, dhe më tha Lule, të dy”, rrëfen Luljeta Rushiti Ibishi.
Pavarësisht dhembjes së paharruar dhe të pashuar, familja Rushiti do ta vazhdojë jetën aty ku u lindën, në vendin e prindërve të tyre martirë./RTK
















































