Komisioni për Kosovën i Parlamentit të Serbisë ka miratuar Raportin mbi punën e Zyrës Qeveritare për Kosovën për vitin 2025, në një seancë të mbyllur për publikun.

Raporti përdor termin tendencioz “Metohi” dhe shërben si mjet propagandistik për të paraqitur Kosovën si një rrezik për komunitetin serb.


(Nocioni “Metohija”, pavarësisht se daton që nga mesjeta apo shekulli 11-të dhe është term kishtar, ky nocion vazhdon edhe sot të përdoret në diskursin publik, formal dhe joformal, nga popullsia serbe që jeton në Kosovë, por edhe nga drejtuesit e lartë të institucioneve të Kosovës që përfaqësojnë bashkësinë serbe).

Në dokument përmenden pretendime për aktivitete “sistematik represive dhe terror” nga institucionet në Prishtinë, duke akuzuar se këto veprime kërcënojnë jetën, pronën dhe të drejtat themelore të serbëve lokalë, si dhe institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Komiteti serb e shfrytëzon raportin për të përhapur perceptimin se situata në Kosovë është e rrezikshme për serbët dhe se problemet mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Beogradi, duke lënë anash qëndrimet dhe ligjshmërinë e institucioneve kosovare.

Raporti përfshin edhe akuzat e njëanshme ndaj Prishtinës, ndërsa dialogu Beograd-Prishtinë paraqitet si i vonuar dhe i pasuksesshëm në raport.

Formimi i Bashkësisë së Komunave Serbe shihet si “zgjidhja” e vetme e propozuar nga Beogradi për të mbrojtur të drejtat e serbëve, duke e paraqitur Kosovën si autoritet agresor.

Seancën e kryesoi kryetarja e Komisionit, Danijela Nikoliq, ndërsa në të morën pjesë anëtarët e Komisionit dhe deputetë të tjerë jo anëtarë, duke e shndërruar mbledhjen në një instrument për përcjelljen e narrativës serbe mbi Kosovën.

Ky raport pasqyron qartë përpjekjet e Serbisë për të propaganduar rrezikun ndaj serbëve dhe për të legjitimuar politikat e saj ndaj Kosovës.

Kurti: Kosova s’ka probleme me serbët lokalë, por me Beogradin që s’u distancua nga Putini

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më parë ka përmendur të gjitha benefitet që serbët e Kosovës i kanë të garantuara me Kushtetutë dhe ka thënë se Kosova dëshiron integrimin e serbëve.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës s’ka probleme me serbët që jetojnë në Kosovë por me politikën zyrtare të Beogradit që asnjëherë s’është distancuar nga Sllobodan Millosheviqi dhe Vladimir Putini.

Kurti ka thënë se Kosova duhet të jetë republikë demokratike e qytetarëve dhe jo e ndarë mbi baza etnike.

“Kosova është republikë demokratike. Kemi të drejta për minoritetet shumë të avancuara. Ka dhjetë vende rezervë në parlament, gjuha serbe është gjuhë zyrtare. 10 nga 38 komuna janë me shumicë serbe. 17 % e anëtarëve të Kuvendeve komunale në gjithë Kosovën janë serbë. Bashkëpunojnë mirë. Kam ministrin Nenad Rashiq, kam tre zv.ministra dhe duam integrimin e serbëve. Po shqiptarët janë pothuajse 93 % e popullsisë, por kemi edhe pakicat e tjera që duam t’i respektojmë. Duam të bashkëpunojmë mirë me të gjithë. Duam të krijojmë republikë demokratike në bazë të qytetarëve dhe jo në baza etnike. Nevojitet të bashkëpunoj rinia dhe biznesmenët”, ka thënë Kurti.

Serbët lokalë gëzojnë të drejta të barabarta si gjithë qytetarët e tjerë të Kosovës./TheGeopost.