Telegrafi

Pamje të sabotuesit rus në një anëtar të NATO-s, ndezi zjarre dhe filmoi stërvitjet e ushtarëve ukrainas në Poloni – “e tradhtoi’ një faturë në pompën e derivateve

Rusia është përfshirë në një operacion sabotazhi në vendet anëtare të NATO-s për më shumë se gjashtë muaj, duke synuar linjat e furnizimit me armë në Ukrainë dhe vendimarrësit pas këtij vendimi, kanë bërë të ditur burime brenda NATO-s.

CNN ka publikuar pamjet e një diversanti rus në Poloni, i cili shkroi mbishkrime kundër luftës në Poloni si dhe i vuri zjarrin gardhit të një kompanie në pronësi ukrainase në Poloni, dhe gjithashtu vendosi kamera përpara një baze në Poloni ku ushtarët ukrainas trajnoheshin, transmeton Telegrafi.

Ai ishte punësuar nga shërbimet e inteligjencës ruse. Megjithatë agjentët polakë e arrestuan diversantin pas muajsh vëzhgimi, të nxitur pjesërisht nga zbulimi i një fature karburanti që ai e hodhi aksidentalisht gjatë një prej operacioneve të tij, e cila mund të shihet në videon e publikuar më poshtë.

Shërbimet e inteligjencës perëndimore po monitorojnë një rritje të operacioneve sabotuese në Evropë, të cilat sipas tyre janë pjesë e fushatës së Rusisë për të minuar mbështetjen për Ukrainën.

Këto janë kryesisht sulme me zjarrvënie dhe operacione të tilla drejtohen kundër një game të gjerë objektivash, duke përfshirë një magazinë në Angli, një fabrikë në Poloni, shtëpi në Letoni, dyqane në Lituani. Veprime të tjera përfshijnë instalimin e kamerave të vëzhgimit dhe grafitë.

Zyrtarët perëndimorë thonë se operacioni po drejtohet nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU. Rusia me këtë ngjall frikë tek ata dhe detyron vendet evropiane të rrisin kostot dhe në këtë mënyrë të ngadalësojnë dërgimin e armëve në Ukrainë. /Telegrafi/